Pas aktakuzës, senatori Menendez jep dorëheqje nga posti i kryetarit në një komision të Senatit
Senatori Bob Menendez, ndaj të cilit të premten u ngrit aktakuzë nën dyshimin për ryshfet, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme në Senatin e ShBA-së.
Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë pretendojnë se Menendezi dhe bashkëshortja e tij kanë marrë mijëra dollarë në këmbim të ndarjes së ndihmave për Qeverinë e Egjiptit, raporton televizioni BBC.
Çifti i ka mohuar akuzat. Senatori i ka refuzuar thirrjet e anëtarëve të Partisë Demokratike në New Jersey, pjesë e së cilës është edhe vetë ai, që të japë dorëheqje nga pozita e ligjvënësit.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, tha të premten se Menendezi kishte vendosur që të jepte dorëheqje nga pozita e kryetarit të komisionit me ndikim “derisa çështja të jetë zgjidhur”.
Demokrati nga Nju-Jorku tha se kolegu i tij është “shërbyes publik i përkushtuar dhe gjithmonë lufton fort për njerëzit e New Jersey-t.
Kjo nuk është hera e parë që Menendezi, që ka shërbyer në Kongres nga viti 2006, detyrohet që të japë dorëheqje nga pozita e lakmuar në panelin për marrëdhënie të jashtme.
Ai kishte dhënë dorëheqje edhe në vitin 2015, pasi i ishte ngritur aktakuzë në New Jersey nën dyshimin se kishte marrë ryshfet nga një mjek i syve nga Florida. Rasti ishte hedhur poshtë, pasi trupi gjykues nuk kishte arritur që të merrte vendim të njëzëshëm.
Menendezi dhe bashkëshortja e tij, Nadine Arslanian, akuzohen se kanë marrë ryshfet në formë të parave të gatshme, arit, pagesave për një kompani hipotekare dhe një automjet luksoz nga tre biznesmenë në New Jersey.
Prokurorët pretendojnë se çifti i kishte marrë të hollat në mënyrë që ta ndihmonte në mënyrë sekrete Qeverinë e Egjiptit dhe t’i pasuronte tre biznesmenët: Wael Hana, Jose Uribe dhe Fred Daibes.
