Pamjet satelitore shfaqin më shumë aeroplanë në bazën saudite që përdoret nga amerikanët
Pamjet satelitore shfaqën rritje të numrit të aeroplanëve mbështetës ushtarakë, përfshirë ata që përdoren për rimbushjen e aeroplanëve me karburant, në një bazë ajrore saudite që përdoret nga ushtria amerikane. Kjo rritje u vërejt gjatë një periudhe 4-ditore në shkurt, kur Uashingtoni po grumbullon forca në rajon mes tensionesh me Iranin.
Arabia Saudite, aleate e Uashingtonit për një kohë të gjatë, i tha Iranit muajin e kaluar se nuk do të lejonte që hapësira e saj ajrore të përdoret për veprime ushtarake kundër Teheranit, i cili zhvilloi bisedime të tërthorta me Uashingtonin të enjten për programin e vet bërthamor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një fotografi satelitore me rezolucion të lartë të shkrepur më 21 shkurt, të paktën 43 aeroplanë dukeshin në Bazën Ajrore “Princi Sulltan” të Arabisë Saudite – ku forcat amerikane kanë qëndruar me dekada – në krahasim me 27 aeroplanë sa dukeshin në një fotografi të bërë më 17 shkurt.
Numri i aeroplanëve ra në 38 në një fotografi të shkrepur tetë ditë më vonë, më 25 shkurt.
Në mesin e aeroplanëve që shihen në fotografinë e 21 shkurtit përfshihen 13 aeroplanë për rimbushje të tipit “Boeing KC-135” dhe gjashtë “Boeing 3 Sentry”, sipas analistit të pamjeve satelitore në “Contestes Grounds”, William Goodhind.
Kur iu kërkua koment, Pentagoni tha se “nuk ka asgjë për të ofruar”. Ushtria amerikane zakonisht nuk i komenton lëvizjet e forcave të saj.
Zyra për media e Qeverisë së Arabisë Saudite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Omani, që po i ndërmjetëson bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tha se palët shënuan progres në diskutime të enjten, edhe pse nuk pati shenja të ndonjë hapi të madh që do t’i shmangte sulmet e mundshme amerikane.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, tha të enjten se palët planifikojnë që t’i rinisin bisedimet së shpejti, pas konsultimeve në kryeqytetet përkatëse. Bisedimet e nivelit teknik janë paraparë për javën e ardhshme në Vjenë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 19 shkurt e Irani duhet të bëjë një marrëveshje brenda 10 – 15 ditëve, duke paralajmëruar se “gjëra vërtet të këqija” do të ndodhin, nëse pakti nuk arrihet./Nacionale