Pamje: Shpërthim i madh në një fabrikë fishekzjarrësh në Bullgari, një i vdekur e dy të zhdukur - NACIONALE

Pamje: Shpërthim i madh në një fabrikë fishekzjarrësh në Bullgari, një i vdekur e dy të zhdukur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një person e humbi jetën dhe një tjetër u lëndua seriozisht, kur një zjarr në një fabrikë fishekzjarrësh në Bullgari shkaktoi një varg shpërthimesh dramatike të enjten vonë, thanë zyrtarët lokalë dhe stafi mjekësor.

Shpërthimet filluan rreth orës 18 e 30 minuta në qytezën Elin Pelin, afër kryeqytetit Sofia, duke shkaktuar tym të madh në qiellin e mbrëmjes, raporton agjencia “Reuters”.

“Në momentin e parë, m’u duk sikur dikush e mbylli derën me zemërim të madh. I rrapëlloi dritaret. Rryma u ndal menjëherë” – i tha një banor televizionit “Nova TV”.

“Shikova lart në dritare dhe pashë një re të hirtë në formë kërpudhe që filloi të përhapej drejt lindjes” – shtoi ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Kalin Stoyanov, tha të enjten në mbrëmje se një burrë 49-vjeçar vdiq nga lëndimet e pësuara nga zjarri, ndërsa e bija e tij 20-vjeçare ndodhej në gjendje kritike në spital.

Dy burra, një djalë 22 vjeç i pronarit të fabrikës dhe një punëtor 60 vjeç, besohet të kenë qenë brenda objektit dhe mbeteshin të zhdukur, shtoi ai.

Banorët iu thanë mediave lokale se shpërthime më të vogla vazhduan gjatë natës e deri të premten në mëngjes. Zona e fabrikës, e rrethuar nga toka bujqësore, u izolua dhe disa helikopterë ushtarakë e kontrolluan hapësirën, tha një dëshmitar i agjencisë “Reuters”.

Në njërën prej depove ndodheshin dy tonë të lëndëve shpërthyese, sipas të dhënave preliminare, raportoi Agjencia e Lajmeve e Bullgarisë.

Lajme të ngjashme