Pamje: Aeroplani kaplohet nga zjarri në motor në qiell, bën ulje emergjente në ShBA - NACIONALE

Pamje: Aeroplani kaplohet nga zjarri në motor në qiell, bën ulje emergjente në ShBA

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një aeroplan mallrash i tipit “Boeing 747-8”, në pronësi të kompanisë “Atlas Air”, bëri ulje emergjente në Miami të ShBA-së të enjten vonë, pak pas nisjes së fluturimit, pasi zjarri i shpërtheu në motor.

Në aeroplan ndodheshin pesë anëtarë të ekuipazhit, të cilët u kthyen në tokë në mënyrë të sigurt. Nuk u raportua për të lënduar, raporton agjencia “Reuters”.

Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit janë duke e hetuar rasti. Administrata Federale e Aviacionit tha se pas një inspektimi pas fluturimit u pa një vrimë mbi motorin e aeroplanit.

Në video që u publikuan në rrjete sociale shihet flaka duke dalë nga krahu i majtë i aeroplanit gjatë fluturimit.

“Ekuipazhi i ndoqi të gjitha procedurat standarde dhe u kthye në mënyrë të sigurt”- tha kompania ajrore, duke shtuar se do të zhvillojë një inspektim për ta zbuluar shkaktarin e zjarrit.

Eksperti amerikan i sigurisë ajrore, John Cox, tha se pasja e problemeve me njërin motor në përgjithësi nuk është ndonjë ngjarje e rëndësishme, por ky incident duket si dështim i papërmbajtur i motorit për shkak të vrimës dhe hetimit nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit.

Prodhuesi “Boeing” tha se është duke i përkrahur kompaninë “Atlas Air” dhe hetimin e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit për incidentin.

Lajme të ngjashme