Palestinezët dhe policia izraelite përleshen afër xhamisë “Al-Aqsa” në Jerusalem
Policia izraelite është përleshur me disa palestinezë të maskuar që sulmonin me gurë afër xhamisë “Al-Aqsa” në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, kur dhuna shpërtheu pas lutjeve të mëngjesit të premten.
Forcat izraelite të sigurisë kanë qenë në gjendje të lartë gatishmërie pas një vargu të sulmeve vdekjeprurëse të palestinezëve në mbarë vendin gjatë dy javëve të kaluara. Përleshjet në vendin e shenjtë e bartin rrezikun për nxitje të një konflikti më të gjerë mes Izraelit dhe grupeve militante palestineze në Gaza.
Policia izraelite tha se hyri në zonë për të shpërndarë një turmë të dhunshme që mbeti aty në fund të lutjeve të mëngjesit. Sidoqoftë, ata nuk hynë në xhaminë “Al-Aqsa”.
Shërbimi ambulantor i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se 59 persona u lënduan, disa nga gazi lotsjellës e plumbat e gomës.
Hamasi, grupi islamist që e kontrollon Gazën, e dënoi veprimin e policisë izraelite dhe tha se Izraeli e mban përgjegjësinë për pasojat.