Pakistani konfiskon 18 luanë që po mbaheshin si kafshë shtëpiake, pasi një tjetër sulmoi tre njerëz
Tetëmbëdhjetë luanë që po mbaheshin në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake janë konfiskuar në rajonin Punjab të Pakistanit, thanë autoritetet të hënën, duke nisur një aksion pasi një kafshë e tillë iku nga një shtëpi dhe sulmoi dy fëmijë e një grua.
Gruaja pësoi gërvishtje dhe të mavijosura, ndërsa dy fëmijët e moshës 5 dhe 7-vjeçare u dërguan në spital pas sulmit që ndodhi javën e kaluar, por lëndimet e tyre nuk ua rrezikojnë jetën, thanë zyrtarët provincialë të botës së egër, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Luani që po mbahej pa leje në një shtëpi në Lahore u konfiskua dhe u dërgua në një park lokal, tha Mubeen Elahi, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Botës së Egër dhe Parqeve. Policia tha se pronari i luanit më vonë u arrestua.
Mbajtja e kafshëve ekzotike është nxitur nga rrjetet sociale. Pronarët shpesh krenohen me kafshët e tyre në internet si simbole të statusit.
“Sipas rregulloreve të reja për mbajtjen e maceve të mëdha, asnjë individi nuk i lejohet që të mbajë një luan pa leje, pa e respektuar madhësinë e caktuar të kafazit dhe pa ndjekur procedura të tjera standarde të operimit” – tha Elahi.
Ndëshkimi për shkeljen e këtyre rregullave është me burgim deri në shtatë vjet./Nacionale