Padi civile ndaj Donald Trump dhe familjes së tij, akuzohen për mashtrim
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James ka ngritur një padi civile kundër ish-presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë dhe anëtarët e familjes së tij për "akte të shumta mashtrimi dhe keqinterpretimi".
“Me ndihmën e fëmijëve të tij dhe drejtuesve të lartë në Organizatën Trump, Donald Trump fryu në mënyrë të rreme pasurinë e tij neto me miliarda dollarë për të pasuruar veten padrejtësisht dhe për të mashtruar sistemin”, është shprehur James në një deklaratë.
Sipas saj, qëllimi ishte të rritej imazhi i miliarderit të Trump duke mbivlerësuar vlerat e aseteve të tij për të marrë kredi të favorshme dhe duke i nënvlerësuar ato për lehtësime tatimore.
"Të pretendosh se ke para që nuk i ke, nuk përbën artin e marrëveshjes. Është arti i vjedhjes," ka thënë më tej James.
Ajo gjithashtu ia referoi çështjen prokurorëve federalë dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme të ShBA-së për hetim penal.
Në anën tjetër, Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje dhe tha se James, një demokrat që kandidon për një mandat të dytë në nëntor, ishte i zënë duke zhvilluar një "kryqëzatë të hidhur" kundër tij.
"Një përrallë e dy sistemeve të drejtësisë - po ku kriminelët shkojnë të lirë, dhe demokratët ndjekin vetëm kundërshtarët e tyre politikë!" ka shkruar zëdhënësja e Trump, Liz Harrington.
Për çfarë bëhet fjalë në padi?
Padia akuzoi Organizatën Trump për keqbërje në përgatitjen e pasqyrave vjetore të gjendjes financiare të Trump nga 2011 deri në 2021.
Ajo gjithashtu emëroi Donald Jr., Ivanka dhe Eric Trump si të pandehur, së bashku me dy drejtues të vjetër të kompanisë, Allen Weisselberg dhe Jeffrey McConney.
Bëhet e ditur se, James ka kryer një hetim civil mbi praktikat e biznesit të Trump për më shumë se tre vjet.
James u ka thënë gazetarëve se ajo po kërkon që të pandehurit të heqin dorë nga të gjitha përfitimet që ai mori nga mashtrimi, të vlerësuara në 250 milionë dollarë.
"Modeli i mashtrimit që u përdor nga zoti Trump dhe Organizata Trump për përfitimin e tyre financiar është befasues," ka thënë James.
Padia gjithashtu kërkon të ndalojë Trump dhe fëmijët e tij nga drejtimi i kompanive në Nju Jork, dhe të ndalojë Organizatën Trump nga përfshirja në transaksionet e pasurive të paluajtshme.

