Orbani thotë se Trumpi ka plane të hollësishme për paqe mes Ukrainës e Rusisë
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka pretenduar se kandidati për president të ShBA-së, Donald Trump, ka plane “të hollësishme dhe të bazuara mirë” për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës në një letër dërguar një organi të lartë të BE-së që pritet të nxisë tensione rreth angazhimit diplomatik të Orbanit.
Kryeministri hungarez, i cili u takua në Trumpin javën e kaluar në ShBA, tha në një letër dërguar Këshillit Evropian, i cili organizon takime të udhëheqësve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, se i nominuari i republikanëve për president të ShBA-së është i gatshëm për të vepruar si ndërmjetës “menjëherë” pas zgjedhjeve, raporton gazeta “The Guardian”.
“Rezultati i pritshëm” i fitores së Trumpit nënkupton që BE-ja duhet të rihapë “linja të drejtpërdrejta të komunikimit diplomatik” me Rusinë dhe “bisedime politike të nivelit të lartë” me Kinën, shkroi Orbani në letrën dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për të cilën raportoi e para gazeta “Financial Times”. Gazeta “The Guardian” ka parë një kopje të letrës.
Kryeministri hungarez tha se fitorja e pritshme e Trumpit do të nënkuptonte që barra financiare e mbështetjes për luftën e Ukrainës do të ndryshonte në kurriz të Bashkimit Evropian.
“Unë jam më i bindur se në rezultatin e pritshëm të fitores së presidentit Trump, proporcioni i barrës financiare mes ShBA-së dhe BE-së do të ndryshojë në masë domethënëse në kurriz të BE-së, kur bëhet fjalë për përkrahjen ushtarake për Ukrainën” – shkroi Orbani.
Ai gjithashtu tha se pas bisedimeve të zhvilluara rishtazi me presidentin rus, Vladimir Putin, me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “vrojtimi i përgjithshëm” ishte se “intensiteti i konfliktit ushtarak do të eskalojë në mënyrë radikale në të ardhmen e afërt”.
Sipas Orbanit, strategjia evropiane e kishte “kopjuar politikën pro luftës të ShBA-së”. Ai bëri thirrje për një diskutim të asaj “nëse vazhdimi i kësaj politike është racional në të ardhmen”.