Kontrabandë me njerëz, arrestohen 130 persona në pesë vende të Evropës - NACIONALE

Kontrabandë me njerëz, arrestohen 130 persona në pesë vende të Evropës

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në të paktën pesë vende evropiane policia ka arrestuar rreth 130 persona të akuzuar për kontrabandë me njerëz përmes Kanalit Anglez në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas BBC-së, mendohet se rrjeti kriminal ka sjellë në vend deri në 10 mijë emirgantë me varka të vogla brenda një periudhe 12-18 mujore.

Policia ka thënë se fokusi kryesor i këtij operacioni ishte qyteti i Osnabrück në Gjermani ku edhe janë arrestuar 18 persona, ndërsa ka bërë të ditur se qindra oficerë janë duke vazhduar kërkimet për kontrabandistë në vende të tjera.

Në këtë operacion ndërkombëtar, bastisje dhe arrestime janë kryer edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë dhe Holandë.

Besohet se ky është operacioni ndërkombëtar "më i madhi ndonjëherë" që synon bandat kriminale të dyshuara për kontrabandën e njerëzve nëpër Kanalin Anglez, i cili ndan Britaninë e Madhe nga Evropa kontinentale.

Një zyrtar gjerman e ka përshkruar modelin e biznesit të trafikimit si "të poshtër dhe të paskrupullt", i cili mund të trajtohej vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ndërsa, autoritetet kanë dhënë detaje për mënyrën se si varkat e vogla janë sjellë nga Kina në Gjermani dhe më në fund në Francë, ku më pas janë përdorur për të transportuar njerëz ilegalisht nëpër ujë.

Në operacion kanë marrë pjesë edhe oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar të cilët kanë arrestuar gjashtë persona në Londrën Lindore.

Lajme të ngjashme