OKB: Numër “shokues i lartë” i fëmijëve të kequshqyer në mënyrë akute në Gaza pas armëpushimit - NACIONALE

OKB: Numër “shokues i lartë” i fëmijëve të kequshqyer në mënyrë akute në Gaza pas armëpushimit

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Mijëra fëmijë janë pranuar për trajtim për shkak të kequshqyerjes akute në Gaza që nga fillimi i armëpushimit në tetor, që do të duhej të mundësonte rritje të madhe të ndihmave humanitare, tha të martën agjencia e OKB-së për fëmijët.

UNICEF-i, ofruesja më e madhe e trajtimit për kequshqyerje në Gaza, tha se 9.300 fëmijë u trajtuan për kequshqyerje të rëndë akute në tetor, kur hyri në fuqi faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit e Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Edhe pse numri i ri është më i vogël se kulmi prej 14 mijë fëmijësh në gusht, shifra është ende dukshëm më e lartë se gjatë një armëpushimi të shkurtër në shkurt dhe mars dhe tregon se rrjedhja e ndihmave mbetet e pamjaftueshme, tha zëdhënësja Tess Ingram përmes një video-lidhjeje nga Gaza.

“Është ende një numër shokues i lartë” – deklaroi ajo. “Numri i fëmijëve të pranuar është pesë herë më i lartë se në shkurt, prandaj duhet ta shohim uljen e mëtejme të shifrës” – shtoi Ingram. Ajo tha se ka parë foshnja nën peshë të lindura në spitale, që peshonin më pak se 1 kilogram dhe “gjokset e tyre të vogla duke gufuar me përpjekjen për të qëndruar gjallë”.

UNICEF-i është në gjendje që të importojë dukshëm më shumë ndihma në enklavë se para marrëveshjes së 10 tetorit, por disa pengesa mbeten, tha ajo, duke i përmendur vonesat dhe refuzimin e ngarkesave në pikëkapime kufitare, mbylljen e rrugëve dhe sfidat e vazhdueshme të sigurisë.

“Kemi parë ca përmirësime, por vazhdojmë që të bëjmë thirrje që të gjitha pikëkalimet e disponueshme drejt Rripit të Gazës të jenë të hapura” – shtoi zëdhënësja e UNICEF-it. Sipas saj, nuk ka dërgesa të mjaftueshme komerciale që po hyjnë në Gaza dhe se mishi ende ka çmim tepër të lartë – rreth 20 dollarë për kilogram.

“Shumica e familjeve nuk mund të kenë qasje në të dhe për këtë arsye ende po shohim shkallë të lartë të kequshqyerjes” – tha Ingram./Nacionale

Lajme të ngjashme