OKB: Ne po bashkëpunojmë me SHBA-në dhe BE-në që ushqimi të arrijë në tregjet botërore
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha sot se Kombet e Bashkuara po punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të kapërcyer disa pengesa, të cilat duhet të lejojnë që ushqimi dhe plehrat ruse të arrijnë në tregjet botërore.
Guterres tha se, në përputhje me marrëveshjen e arritur muajin e kaluar në Turqi me ndërmjetësimin e OKB-së për vazhdimin e eksportit të drithërave ukrainase, më shumë se 650,000 tonë metrikë drithëra dhe ushqime të tjera tashmë po eksportohen.
"Një pjesë tjetër e kësaj pakete është aksesi i papenguar në tregjet globale për ushqimin dhe plehrat ruse që nuk janë subjekt i sanksioneve", tha Guterres në Stamboll, ku ai vizitoi qendrën e koordinimit të kontrollit të eksporteve. Ai tha gjithashtu se ato vende që vendosën sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës e bënë të qartë se këto masa nuk vlejnë për ushqimin dhe plehrat, por shtoi se ka ende një ndikim të caktuar në eksporte.
"Ne po përballemi me një numër pengesash dhe vështirësish për t'u kapërcyer kur bëhet fjalë për transportin, sigurimin dhe financat", tha Guterres në një konferencë shtypi të mbajtur së bashku me ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha gjithashtu se OKB-ja po bashkëpunon me Uashingtonin dhe BE-në për të hequr këto pengesa.
"Eksportimi i sasive më të mëdha të ushqimit dhe plehrave nga Ukraina dhe Rusia është çelësi për qetësimin e mëtejshëm të tregjeve të mallrave", tha ai. Para pushtimit rus më 24 shkurt, Rusia dhe Ukraina përbënin një të tretën e eksporteve botërore të grurit. Rusia është gjithashtu një eksportues i madh i plehrave. /Nacionale/