OKB-ja raporton për të paktën 52 të vrarë nga rebelët në Kongo, u përdorën hanxharë
Rebelët e mbështetur nga ISIL-i, degë e ISIS-it, kanë vrarë të paktën 52 civilë në Republikën Demokratike të Kongos këtë muaj, sipas misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në këtë shtet, MONUSCO.
Ushtria kongoleze dhe grupi rebel M23, i cili përkrahet nga Ruanda, e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkeljen e një marrëveshjeje armëpushimi të arritur rishtazi me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Në sulmet e Forcave Demokratike Aleate (ADF) u vunë në shënjestër territoret Beni dhe Lubero të provincës së Kivusë Veriore mes 9 e 16 gushtit, tha misioni paqeruajtës i OKB-së të hënën, duke paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritej akoma.
“Dhuna ishte e shoqëruar nga rrëmbimet, plaçkitja, djegia e shtëpive, automjeteve dhe motoçikletave, si dhe shkatërrimi i pronës që u përkiste popullsive që tashmë po ballafaqoheshin me situatë të pasigurt humanitare” – tha MONUSCO-ja, duke i dënuar sulmet “në termat më të fortë të mundshëm”, tha zëdhënësi i këtij misioni.
“Kur ata arritën, fillimisht i zgjuan banorët, i grumbulluan në një vend, i lidhën me litarë e pastaj filluan t’i masakronin me hanxharë e shata” -tha Macaire Sivikunula, drejtor i sektorit Bapere në Lubero.
Pas qetësisë relative muajve të fundit, autoritetet thanë se ADF-ja vrau gati 40 njerëz në qytetin Komanda të provincës Ituri muajin e kaluar, kur sulmoi një kishë katolike dhe shkrepi me armë në drejtim të besimtarëve, përfshirë shumë gra e fëmijë.