OKB-ja raporton për të paktën 13 civilë të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan - NACIONALE

OKB-ja raporton për të paktën 13 civilë të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Së paku 13 civilë u vranë dhe shtatë të tjerë u lënduan nga sulmet ajrore pakistaneze në pjesën lindore të Afganistanit, thanë të hënën Kombet e Bashkuara, në kohën kur tensionet kufitare u përshkallëzuan pas një vargu të shpërthimeve vetëvrasëse në Pakistan.

Viktimat e reja e shtojnë frikën për një cikël të ri të hakmarrjes mes vendeve fqinje, duke e cenuar armëpushimin e brishtë përgjatë kufirit të përbashkët, i gjatë 2.600 kilometra, si dhe për tensionim të mëtejmë të lidhjeve, pasi të dyja palët po e fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën e militantëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Misioni për Asistencë i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) tha se kishte pranuar “raporte të besueshme” se nga sulmet ajrore pakistaneze gjatë natës mes 21 e 22 shkurtit u vranë të paktën 13 civilë dhe u lënduan shtatë të tjerë në distriktet Behsud dhe Khogyani të provincës Nangarhar.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mijahid, më herët raportoi për dhjetëra të vrarë ose të plagosur nga këto sulme, të cilat ndodhën edhe në disa zona të provincës Paktika. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte në mënyrë të pavarur numrin e të vrarëve.

Pakistani tha se nisi sulme pasi i fajësoi militantët që operojnë nga territori afgan për sulmet e fundit vetëvrasëse, përfshirë disa që ndodhën në muajin e Ramazanit.

Ministria e Informacionit e Pakistanit tha në një postim në rrjetin X se me operionin “e mbështetur në inteligjencë” u goditën shtatë kampe të talibanëve pakistanezë dhe Provincës së Khorasanit të Shtetit Islamik dhe se kishte “dëshmi bindëse” se sulmet e militantëve ndaj Pakistanit ishin të drejtuara nga “udhëheqja dhe manovruesit me bazë në Afganistan”.

Kabuli vazhdimisht ka mohuar se i lejon militantët që ta përdorin territorin afgan për të kryer sulme ndaj Pakistanit./Nacionale

Lajme të ngjashme