OKB-ja: Mbi 11 milionë refugjatë mund ta humbin qasjen në ndihma shkaku i uljes së fondeve - NACIONALE

OKB-ja: Mbi 11 milionë refugjatë mund ta humbin qasjen në ndihma shkaku i uljes së fondeve

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Deri në 11,6 milionë refugjatë janë në rrezik që ta humbin qasjen në asistencë humanitare për shkak të pakësimit të ndihmave të huaja nga shtetet donator, tha të premten agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).

Sipas agjencisë së OKB-së, kjo shifër përbën rreth një të tretën e refugjatëve që zakonisht mbështeten prej saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Situata jonë e financimit është dramatike. Kemi frikë se deri në 11,6 milionë refugjatë dhe njerëz të detyruar që të ikin do ta humbin qasjen në asistencën humanitare të ofruar nga UHCR-ja” – tha Dominique Hyde, drejtore për marrëdhënie të jashtme në këtë agjenci.

Vetëm 23 për qind e kërkesës së UNHCR-së për financim prej 10,6 miliardë dollarësh është përmbushur deri më tani për këtë vit, tha agjencia e OKB-së më tej.

Kriza e fondeve rrjedh nga zvogëlimet e mëdha nga vendet donator si Suedia, Franca dhe Japonia, e përkeqësuar edhe nga pakësimet e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara.

Zhvendosja e detyrueshme e njerëzve po shtohet në nivel global, ndërsa ndihmat humanitare po pakësohen në masë të ndjeshme, duke krijuar një “koktej kritik” që i vë në rrezik të rëndë popullsitë e zhvendosura, sipas një raporti të publikuar të premten nga UNHCR-ja.

Agjencia tha se është e detyruar që të ndërpresë ose të pezullojë programe ndihmash me vlerë të 1,4 miliard dollarëve, përfshirë zvogëlimin për 60 për qind të dërgesave për lehtësim urgjent në shumë shtete, përfshirë Sudanin, Çadin dhe Afganistanin.

Fushat kritike si ndihma mjekësore, arsimimi, strehimi, të ushqyerit dhe mbrojtja janë në mesin e shërbimeve që do të humben.

Gratë dhe vajzat preken në mënyrë joproporcionale nga zvogëlimi i fondeve për UNHCR-në, pasi agjencia detyrohet që ta zvogëlojë për një çerek mbështetjen e saj për programet me të cilat ofrohet mbrojtje dhe reagim ndaj dhunës me bazë gjinore./Nacionale

Lajme të ngjashme