OECD: Taksat e Trumpit do ta dëmtojnë rritjen ekonomike globale - NACIONALE

OECD: Taksat e Trumpit do ta dëmtojnë rritjen ekonomike globale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rritja ekonomike globale pritet të jetë më e ngadalshme këtë vit, kryesisht për shkak të taksave të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, sipas një grupi të njohur ndërkombëtar të politikave.

Rritja ekonomike globale tani pritet të jetë në një shkallë “modeste” prej 2,9 për qind, më pak se parashikimi i mëparshëm prej 3,1 për qind, tha Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), raporton televizioni BBC.

Kjo organizatë e fajësoi rritjen “domethënëse” të pengesave tregtare për uljen e parashikimit dhe paralajmëroi se “perspektiva e dobësuar ekonomike do të ndihet përreth botës, pothuajse pa asnjë përjashtim”.

Që nga rikthimi i Trumpit në pushtet në Shtëpinë e Bardhë, një listë e gjatë e shteteve janë vënë në shënjestër të taksave, por qasja e paparashikueshme e presidentit amerikan për zbatimin e këtyre masave ka krijuar pasiguri të gjerë.

“Ne jemi duke parashikuar në thelb një rënie për pothuajse të gjithë. Do të kemi shumë më pak rritje dhe hapje të vendeve të punës sesa që kishim parashikuar në të kaluarën” – i tha televizionit BBC Alvaro Pereira, kryeekonomist në OECD.

Grupi e uli parashikimin për rritje ekonomike këtë vit edhe në Shtetet e Bashkuara, nga 2,2 në 1,6 për qind, dhe parashikoi se rritja do të ngadalësohet përsëri edhe vitin e ardhshëm.

OECD-ja paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë në rrezik nga rritja e inflacionit, edhe pse presidenti Trump disa herë gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se inflacioni do të shënonte rënie.

Para publikimit të raportit të OECD-së të martën, kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjete sociale shkroi: “Për shkak të taksave, ekonomia jonë po lulëzon!”

Megjithatë, të dhënat më të reja zyrtare tregojnë se ekonomia amerikane u tkurr për 0,2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo ishte tkurrja e parë e ekonomisë amerikane që nga viti 2022./Nacionale

Lajme të ngjashme