OBSH shpall fundin e emergjencës globale shëndetësore të Covid - NACIONALE

OBSH shpall fundin e emergjencës globale shëndetësore të Covid

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se Covid-19 nuk përfaqëson më një "urgjencë globale shëndetësore".

Deklarata e organizatës përfaqëson një hap të madh drejt përfundimit të pandemisë dhe vjen tre vjet pasi virusi ishte deklaruar emergjencë.

BBC raporton se zyrtarët kanë thënë se shkalla e vdekjes nga virusi kishte rënë nga një kulm prej më shumë se 100,000 njerëz në javë në janar 2021 në pak më shumë se 3,500 më 24 prill.

Ndërkohë, kreu i OBSH-së ka njoftuar se gjatë gjithë pandemisë kanë humbur jetën të paktën shtatë milionë njerëz. Megjithatë, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se shifra e vërtetë "ka gjasa" të jetë afër 20 milion vdekjeve - gati tre herë më shumë se vlerësimi zyrtar - dhe ka paralajmëruar se virusi mbetet një kërcënim i rëndësishëm.

"Dje, Komiteti i Emergjencave u mblodh për herë të 15-të dhe më rekomandoi që të shpallja fundin e urgjencës së shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar. Unë e kam pranuar atë këshillë. Prandaj me shumë shpresë e shpall Covid-19 të përfunduar si një emergjencë globale shëndetësore, "- ka njoftuar Dr Tedros.

Sidoqoftë, ai ka paralajmëruar se heqja e nivelit më të lartë të alarmit nuk do të thotë se rreziku kishte mbaruar dhe tha se statusi i urgjencës mund të rikthehej nëse situata ndryshonte.

“Gjëja më e keqe që çdo vend mund të bëjë tani është të përdorë këto lajme si një arsye për të ulur mbrojtjen, për të çmontuar sistemet që ka ndërtuar ose për t'i dërguar mesazhin popullit se Covid-19 nuk është asgjë për t'u shqetësuar,”- ka thënë tutje ai.

Kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli fillimisht Covid-19 si një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC) në janar 2020.

Si pikë kryesore e kthesës në pandemi kanë qenë vaksinat, ku sipas OBSH-së, janë dhënë gjithsej 13 miliardë doza, duke lejuar që shumë njerëz të mbrohen nga sëmundjet e rënda dhe vdekja.

Lajme të ngjashme