Covidi mund të ketë origjinën nga njerëzit, pretendon shkencëtari kinez - NACIONALE

Covidi mund të ketë origjinën nga njerëzit, pretendon shkencëtari kinez

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një shkencëtar kinez ka pohuar se virusi Covid-19 mund të ketë origjinën nga njerëzit.

Tong Yigang nga Universiteti i Teknologjisë Kimike në Pekin, ka thënë se sekuencat gjenetike të mostrave virale të marra nga tregu i ushqimeve të detit Huanan në Wuhan – që mendohet të jetë vendi i fillimit të pandemisë – ishin “pothuajse identike” me ato të pacientëve të infektuar me koronavirus, duke sugjeruar se Covid-19 mund të ketë origjinën nga njerëzit.

Sipas CNN, Tong, i cili po fliste në një konferencë shtypi të mbajtur nga Këshilli Shtetëror Kinez në lidhje me kërkimin mbi origjinën e virusit, ka thënë se më shumë se 1,300 mostra mjedisore dhe kafshësh të ngrira ishin marrë në treg midis janarit 2020 dhe marsit 2020, dhe se studiuesit kishin izoluar tre lloje të virusit nga mostrat mjedisore.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk kishte ende prova të mjaftueshme për të mbështetur studimet e fundit që kishin sugjeruar që qentë rakun ishin origjina e virusit Covid-19.

Ndërkohë, duke folur në të njëjtën ngjarje, një studiues i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Zhou Lei, ka bërë thirrje për bashkëpunim shkencor global në gjurmimin e origjinës së virusit, duke thënë se vendi ku u zbulua për herë të parë Covid-19 nuk ishte domosdoshmërisht vendi ku mund të ketë lindur.

Kujtojmë se Kina në të kaluarën është kritikuar shumë për bllokimin e hetimeve ndërkombëtare për origjinën e virusit. Edhe në fillim të kësaj jave, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ende nuk kishte të dhëna kryesore nga Kina në lidhje me fillimet e shpërthimit, mungesa e zbulimit që kreu i programit të saj për sëmundjet në zhvillim tha se ishte "thjesht e pafalshme".

Megjithatë, Kina vazhdimisht pohon se ka qenë transparente dhe bashkëpunuese me OBSH-në.

Debatet rreth origjinës së virusit janë rishfaqur kohët e fundit pas një vlerësimi muajin e kaluar nga Departamenti Amerikan i Energjisë se ka shumë të ngjarë që shpërthimi të ishte rezultat i një aksidenti nga një laborator. Por, të shtunën Zhou ka hedhur poshtë teorinë e rrjedhjes së laboratorit, duke thënë se është "jashtëzakonisht e pamundur".

Lajme të ngjashme