Drejtori i FBI-së thotë se, me gjasë, Covid-19 u shkaktua nga një rrjedhje laboratorike në Kinë
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në ShBA, Christopher Wray, tha të martën se kjo agjenci ka vlerësuar se një rrjedhje nga një laborator në qytetin Wuhan të Kinës, me gjasë, e ka shkaktuar pandeminë e koronavirusit.
“FBI-ja për goxha kohë tashmë ka vlerësuar se prejardhja e pandemisë, sipas shumë gjasave, është një incident i mundshëm laboratorik në Wuhan”- tha ai për televizionin “Fox News”.
Komentet e tij erdhën pas një raportimi të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, të dielën se Departamenti i Energjisë i ShBA-së ka vlerësuar me vetëbesim të ulët se pandemia ka rezultuar nga një rrjedhje e paqëllimshme laboratorike në Kinë, raporton agjencia “Reuters”.
Katër agjenci të tjera, bashkë me një panel të inteligjencës kombëtare, ende vlerësojnë se pandemia, me gjasë, ka qenë rezultat i një përhapjeje natyrore, ndërsa dy agjenci të tjera janë të pavendosura, sipas gazetës “The Wall Street Journal”.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të hënën se qeveria amerikane nuk ka arritur në një konkluzion përfundimtar dhe në një konsensus për prejardhjen e pandemisë.
Kur u pyet për koment nga kjo gazetë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës përmendi një raport të hartuar nga ky shtet dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilit pandemia ka prejardhje natyrore e jo nga rrjedhja laboratorike.
Drejtori i FBI-së tha se nuk mund të japë shumë hollësi për vlerësimin e kësaj agjencie, sepse, sipas tij, ato janë të dhëna të klasifikuara.
Ai e akuzoi qeverinë kineze se “e ka bërë më të mirën në përpjekje për t’i penguar e errësuar” përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve për të mësuar më shumë për prejardhjen e pandemisë.
