OBSh-ja thotë se ushtria izraelite ia sulmoi rezidencën e stafit dhe depon kryesore në Gaza - NACIONALE

OBSh-ja thotë se ushtria izraelite ia sulmoi rezidencën e stafit dhe depon kryesore në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ushtria izraelite ia sulmoi rezidencën e stafit dhe depon kryesore në qytetin Deir al-Balah të Gazës të hënën, duke i komprometuar operacionet e saj në enklaën palestineze.

Agjencia e OKB-së tha se rezidenca e stafit të OBSh-së u sulmua tri herë dhe se sulmet ajrore shkaktuan një zjarr dhe dëm të gjerë, duke i rrezikuar pjesëtarët e stafit dhe anëtarët e familjeve të tyre, përfshirë fëmijët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tanket izraelite lëvizën në distriktet jugore dhe lindore të qytetit Deir al-Balah për herë të parë të hënën, një zonë ku burimet izraelite thanë se ushtria po beson që mund të jenë duke u mbajtur pengje. Nga predhat e tankeve në zonë u goditën shtëpi e xhami, duke u vrarë të paktën tre palestinezë e duke u plagosur disa të tjerë, thanë mjekët lokalë.

“Ushtria izraelite hyri në hapësira, duke detyruar gra e fëmijë që të evakuoheshin në këmbë drejt Al-Mawasit në konflikt aktiv. Stafit të gjinisë mashkullore dhe anëtarëve të familjeve iu vendosën prangat, u zhveshën, u morën në pyetje në vend dhe u kontrolluan nën tytat e armëve” – tha OBSh-ja.

Dy pjesëtarë të stafit dhe dy anëtarë të familjeve të tyre u ndaluan, tha organizata në një shkrim të publikuar në rrjetin X, duke shtuar se tre u lëshuan më vonë, ndërsa një anëtar stafi mbeti në ndalim.

“OBSh-ja i kërkon lirimin e menjëhershëm të stafit të ndaluar dhe mbrojtjen e tërë stafit të saj” – tha drejtori i kësaj organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Qyteti Deir al-Balah është i stërmbushur me palestinezë që janë zhvendosur gjatë më shumë se 21 muajve luftë në Gaza, qindra prej të cilëve ikën në perëndim ose në jug, pasi Izraeli lëshoi një urdhër evakuimi, duke thënë se po synonte që t’i shkatërronte infrastrukturën dhe kapacitetet e Hamasit./Nacionale

Lajme të ngjashme