Nxit reagime deklarata e Trumpit se Egjipti e Jordania duhet të pranojnë palestinezë nga Gaza - NACIONALE

Nxit reagime deklarata e Trumpit se Egjipti e Jordania duhet të pranojnë palestinezë nga Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë palestinezë nga Gaza, sugjerim i kundërshtuar nga Hamasi, grupi militant palestinez që e qeveris enklavën, dhe mësa duket i refuzuar edhe nga Jordania e Egjipti.

Kur u pyet nëse kjo është zgjidhje e përkohshme apo e përhershme për Gazën, ku sulmi ushtarak izraelit ka shkaktuar situatë të rëndë humanitare dhe ka lënë dhjetëra mijëra të vrarë, Trumpi të shtunën tha: “Do të mund të ishte cilado”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Jordania tashmë është shtëpi për miliona palestinezë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dyja këto shtete dhe vendet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë e zhvendosjes së palestinezëve në Gaza në territoret e këtyre shteteve. Gaza është territor që palestinezët e duan si pjesë e një shteti palestinez që e synojnë në të ardhmen.

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për kthimin e kolonëve hebrenj në Gaza, e mirëpriti thirrjen e Trumpit, duke e quajtur “ide të shkëlqyeshme”, dhe tha se ai do të punojë për të zhvilluar një plan për zbatimin e saj. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdimisht ka kundërshtuar nocione të tilla.

Basem Naim, zyrtar i byrosë politike të Hamasit, tha se palestinezët nuk do të pranojnë një ofertë ose zgjidhje të tillë.

Një zyrtar tjetër i Hamasit, Sami Abu Zuhri, i bëri thirrje Trumpit që të mos i përsërisë idetë “e dështuara” që janë provuar nga paraardhësi i tij, Joe Biden.

“Njerëzit e Gazës e kanë duruar vdekjen dhe kanë refuzuar që të largohen nga atdheu i tyre dhe ata nuk do ta lënë atë pavarësisht nga çfarëdo arsye tjetër” – i tha Zuhri agjencisë “Reuters”.

Jordania gjithashtu u duke se e kundërshton sugjerimin e Trumpit. Ministri i Punëve të Jashtme, Ayman Safadi, u tha gazetarëve se qëndrimi i vendit të tij kundër çfarëdo zhvendosjeje të palestinezëve nga Gaza mbetet “i vendosur dhe i palëkundur”.

Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe Ministria e Jashtme e Egjiptit, duke thënë se kategorikisht kundërshton çfarëdo zhvendosjeje të palestinezëve nga toka e tyre, qoftë ai “afatshkurtër apo afatgjatë”./Nacionale

Lajme të ngjashme