Norvegjia ndan 92 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën gjatë dimrit
Norvegjia është zotuar për ndarjen e një miliard kronave norvegjeze (92 milionë dollarë amerikanë) fonde humanitare për Ukrainën që vendi ta kalojë më lehtë dimrin në luftë, thuhet në një komunikatë për shtyp të Oslos.
Fondet “do të kanalizohen përmes OKB-së, përfshirë Fondin Humanitar të Ukrainës, dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar e Lëvizjes së Gjysmëhënës së Kuqe”- thuhet në njoftimin e Qeverisë së Norvegjisë.
Përkrahja kyçe do t’u ofrohet organizatave lokale të shoqërisë civile në Ukrainë dhe “njerëzve, fëmijëve e refugjatëve më të ndjeshëm e të zhvendosurve brenda vendit, duke ndihmuar për t’u siguruar që ata të kenë qasje në strehim, ushqim, ujë e mjete sanitare, edukim, kujdes shëndetësor dhe mbështetje psikologjike, si dhe mbrojtje kundër dhunës seksuale e me bazë gjinore”- thuhet në komunikatë.
Ndarja e kësaj ndihme u njoftua në Takimin e Tretë Humanitar të Zyrtarëve të Lartë të Ukrainës në Oslo, i bashkorganizuar nga Norvegjia dhe Bashkimi Evropian.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 17 milionë njerëz në Ukrainë kanë nevojë për asistencë humanitare, thuhet në komunikatën për shtyp.
“Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Norvegjia ka ofruar më shumë se 3,5 miliardë krona norvegjeze (320 milionë dollarë amerikanë) për përkrahje humanitare për Ukrainën dhe reagimin për refugjatë në vendet fqinje”- shtohet në komunikatë.
