Njohja e Gjenocidit Armen nga Netanyahu, Turqia ia kthen: Ju po kryeni gjenocid në Gaza - NACIONALE

Njohja e Gjenocidit Armen nga Netanyahu, Turqia ia kthen: Ju po kryeni gjenocid në Gaza

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Turqia i ka kundërshtuar komentet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili të martën tha se e njeh gjenocidin e kryer nga Perandoria Osmane kundër armenëve, asirianëve dhe grekëve në fillim të shekullit të kaluar.

“Komentet e Netanyahut në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 janë një përpjekje për t’i shfrytëzuar tragjeditë e së kaluarës për motive politike” – tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Turqisë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Ne e dënojmë dhe e refuzojmë këtë deklaratë, e cila është e papajtueshme me faktet historike dhe ligjore” – thuhet më tej në deklaratë.

Turqia e përsëriti akuzën e saj se Izraeli është duke kryer gjenocid në Rripin e Gazës, duke thënë: “Netanyahu, i cili është në gjyq për rolin e tij në gjenocidin e kryer kundër popullit palestinez, po përpiqet që t’i mbulojë krimet e kryera nga vetë ai dhe qeveria e tij”.

Duke filluar me Uruguajin në vitin 1965, shtetet si Franca, Gjermania, Kanadaja, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Gjenocidin Armen, por Izraeli për një kohë të gjatë e ka shmangur këtë hap, edhe pse disa figura të larta politike viteve të fundit kanë bërë thirrje që kjo ngjarje të njihet si gjenocid.

Komentet e Netanyahut e shënojnë herën e parë që një kryeministër izraelit e njeh Gjenocidin Armen, duke i pasqyruar lidhjet gjithnjë më të ftohta me Turqinë.

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, disa herë e ka krahasuar Izraelin me Gjermaninë naziste për shkak të luftës kundër Hamasit në Gaza.

Lexoni edhe: Për herë të parë, Netanyahu thotë se e njeh Gjenocidin Armen nga Perandoria Osmane

Lajme të ngjashme