Për herë të parë, Netanyahu thotë se e njeh Gjenocidin Armen nga Perandoria Osmane
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën për herë të parë se ai e njeh gjenocidin e kryer nga Perandoria Osmane kundër armenëve, asirianëve dhe grekëve në fillim të shekullit XX.
Kur u pyet nga Patrick Bet-David në podcasti e tij se pse Izraeli nuk e njeh Gjenocidin Armen, Netanyahu tha: “Mendoj se e kemi njohur. Mendoj se Kuvendi miratoi një rezolutë me këtë efekt”, edhe pse asnjë legjislacion i tillë nuk është shndërruar në ligj, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Kur iu bë presion me pyetjen se pse asnjë kryeministër izraelit nuk e ka njohur Gjenocidin Armen, Netanyahu tha: “Unë porsa e bërë. Ja ku e keni.”
Patrick Bet-David, biznesmen amerikan, rrjedh nga një familje e krishterë asiriane nga Irani.
BREAKING!
— Patrick Bet-David (@patrickbetdavid) August 26, 2025
Prime Minister @Netanyahu OFFICIALLY recognizes the Armenian, Assyrian & Greek genocide committed by the Ottoman Empire. pic.twitter.com/fLtsr41YRy
Armenët për një kohë të gjatë kanë kërkuar njohje ndërkombëtare të vrasjeve nga Perandoria Osmane si gjenocid. Thuhet se gjatë periudhës prej vitit 1915 deri më 1917 kishin vdekur deri në 1,5 milion njerëz.
Turqia – shtet pasardhës i Perandorisë Osmane – i kundërshton fuqishëm pretendimet se masakrat, burgimet dhe dëbimi i detyrueshëm i armenëve në atë kohë përbën gjenocid.
Më 20 prill të vitit 1965, Uruguaji u bë shteti i parë që e njohu Gjenocidin Armen, por pjesa dërrmuese e vendeve të tjera refuzojnë që t’u referohen këtyre ngjarjeve si gjenocid, kryesisht për shkak të shqetësimit rreth marrëdhënieve me Turqinë, e cila e ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, thekson gazeta izraelite.
Izraeli, i cili me vite e ka parë Turqinë si partnere kyçe tregtare e nganjëherë edhe në fushën e sigurisë, kishte qëndruar në mënyrë të vendosur në grupin e shumicës sa i përket njohjes së gjenocidit.
Megjithatë, marrëdhëniet me Turqinë kanë rënë në nivele të reja të ulëta gjatë luftës në Gaza. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, është përkrahës i dalluar i Hamasit dhe njëri nga kritikuesit kryesorë të Izraelit në skenën botërore./Nacionale