Një i vrarë e 16 të plagosur nga sulmet ruse në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës - NACIONALE

Një i vrarë e 16 të plagosur nga sulmet ruse në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën një person u vra dhe 16 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në disa pjesë të Ukrainës të enjten, sipas zyrtarëve lokalë, ditën kur Ukraina e shënon 32-vjetorin e pavarësisë nga Moska.

Qytetet Kherson e Dnipro si dhe qyteza e vijës së frontit, Kurakhove, u goditën nga sulmet që plagosën civilë, ndërsa një bujk u vra nga bombardimet në pjesën jugore të vendit, thanë zyrtarët ukrainas.

Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, tha se dhjetë persona u lënduan nga një sulm rus me raketë në një stacion autobusësh në Dnipro, raporton agjencia “Reuters”.

Disa dyqane afër stacionit të autobusëve u prekën nga sulmi. Disa prej tyre u shkatërruan, ndërsa ca të tjera patën xhama të thyer dhe mall të prishur.

Një grua shkoi me vrap në vendin e ngjarjes, duke kërkuar nga autoritetet që ta lejonin ta shihte dëmin në dyqanin e saj të pajisjeve elektronike.

“Kur më në fund hymë brenda... pamë që gjithçka ishte shkatërruar plotësisht”- tha gruaja që u prezantua si Tetiana.

Një pronar tjetër dyqani, Serhiy, shprehu tërbim ndaj Rusisë. “Mendoj se ata janë kafshë. Ka shumë njerëz këtu (në stacion të autobusëve), njerëzit vijnë dhe shkojnë nga qyteti. Si mund të hapni zjarr ndaj një caku ciliv”- tha ai.

Në rajonin jugor të Khersonit, tre persona u lënduan, përpos bujkut të vrarë, thanë zyrtarët.

Guvernatori rajonal, Oleksandr Prokudin, tha se bujku u vra gjatë punës së tij në një fushë afër fshatit Shyroka Balka.

Ky zyrtar tha, gjithashtu, se një vajzë 7-vjeçare u plagos nga bombardimet ruse në qendrën e qytetit Kherson.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se dy persona të tjerë u plagosën, kur njëra nga predhat e goditi kulmin e një shtëpie private.

Tre banorë u lënduan nga një sulm tjetër në një dyqan në qytezën Kurakhove të rajonit lindor të Donetskut, tha Zyra e Prokurorit.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime.

Rusia vazhdimisht i ka sulmuar qendrat ukrainase larg vijës së frontit, edhe pse mohon që i vën qëllimisht në shënjestër civilët.

Lajme të ngjashme