Një emergjencë e re shëndetësore globale: Ç’është lia e majmunëve dhe ku është përhapur?
Organizata Botërore e Shëndetësisë të mërkurën deklaroi se përhapja e shtuar e lisë së majmunëve në Afrikë është emergjencë shëndetësore globale, duke paralajmëruar se virusi përfundimisht mund t’i kalojë kufijtë ndërkombëtarë.
Njoftimi nga drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, erdhi pas një takimi të komitetit për emergjenca të kësaj agjencie. Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Afrikë e shpallën linë e majmunëve emergjencë të shëndetit publik në kontinent të martën, raporton agjencia “Associated Press”.
OBSh-ja tha se këtë vit në Afrikë janë regjistruar më shumë se 14 mijë raste e 524 persona të vdekur dhe kjo tashmë përbëj tejkalim të shifrave të vitit të kaluar.
Deri më tani, më shumë se 96 për qind e të gjitha rasteve dhe vdekjeve janë në një shtet të vetëm – Kongo. Shkencëtarët janë të shqetësuar nga përhapja e një versioni të ri të sëmundjes atje që mund të transmetohet më lehtë mes njerëzve.
Ç’është lia e majmunëve?
Lia e majmunëve, e quajtur edhe “Mpox”, ishte identifikuar për herë të parë nga shkencëtarët më 1958, kur kishte përhapje të një sëmundjeje “si lia” te majmunët. Deri rishtazi, shumica e rasteve te njerëzit janë regjistruar në pjesët qendrore dhe perëndimore të Afrikës, ku kishte kontakte të ngushta me kafshë të infektuara.
Më 2022, virusi u konfirmua për herë të parë se përhapej përmes marrëdhënieve seksuale dhe nxiti përhapje në më shumë se 70 shtete në pjesë të ndryshme të botës, ku më parë nuk ishte raportuar për praninë e lisë së majmunëve.
Lia e majmunëve i përket familjes së viruseve si lia e zakonshme, por shkakton simptoma më të lehta, si temperatura, ethet dhe dhimbjet në trup. Personat me raste më të rënda mund të kenë shenja në fytyrë, duar, gjoks dhe organe gjenitale.
Ç’po ndodh në Afrikë?
Numri i rasteve është rritur në masë dramatike. Javën e kaluar, Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Afrikë raportuan se lia e majmunëve tashmë është zbuluar në të paktën 13 shtete afrikane. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, agjencia tha se rastet janë shtuar për 160 për qind, ndërsa numri i të vdekurve është rritur për 19 për qind.
Më herët këtë vit, shkencëtarët raportuan për shfaqjen e një forme të re të lisë së majmunëve në një qytezë kongoleze që mund të vrasë deri në 10 për qind të njerëzve dhe mund të përhapet më lehtë.
Ndryshe nga përhapjet e lisë së majmunëve në të kaluarën, kur shenjat shiheshin kryesisht në gjoks, duar dhe këmbë, forma e re e sëmundjes shkakton simptoma më të lehta dhe shenja në organe gjenitale. Kjo e bën atë më të vështirë për t’u vërejtur, që do të thotë se njerëzit gjithashtu mund t’i sëmurin të tjerët pa e ditur se janë të infektuar.
OBSh-ja thotë se lia e majmunëve rishtazi u identifikua për herë të parë në katër shtete të Afrikës Lindore: Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë. Të gjitha këto përhapje ishin të ndërlidhura me epideminë në Kongo. Drejtori i përgjithshëm i OBSh-së tha se ka shqetësim për përhapje të mëtejme të sëmundjes brenda Afrikës dhe përtej saj.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli