Një burrë në Gjermani vdes pasi Policia i vuri gjurin në qafë gjatë një ndërhyrje
Një 47-vjeçar humbi jetën të hënën në qytetin gjerman Mannheim, menjëherë pas ndërhyrjes së policisë. Dy oficerë policie gjermane dyshohet se janë nën hetim. Portali Fenix-Magazine thotë se këtë informacion ua ka dhënë një i afërm i të ndjerit, si dhe konfirmohet se bëhet fjalë për një shtetas kroat.
Mediat shkruajnë se raportet e policisë gjermane thonë se një mjek nga Instituti Qendror për Shëndetin Mendor në Mannheim ka thirrur policinë pasi 47-vjeçari ka kundërshtuar vendimin e tij për të qëndruar në institucionin mjekësor dhe është larguar prej tij. Oficerët e policisë shkuan për ta kërkuar dhe e gjetën në Marktplatz në qendër të Mannheim.
Policia thotë se ai ka rezistuar dhe ka përdorur forcë
Një i afërm i të ndjerit thotë se policia e ka gjetur para dyqanit ushqimor. "Ai nuk kishte paguar as kur mbërriti policia. Siç shihet në pamjet, e kanë mposhtur dhe e kanë shtypur përtokë duke e goditur me grushte. Më pas ka ndodhur ajo që ka ndodhur", thotë një i afërm i të ndjerit.
Një raport i policisë thotë se ai ka rezistuar, ndaj kanë përdorur dhunë. Pasi e kanë mundur dhe e kanë rrëzuar përtokë, thonë ata, papritur i ka rënë të fikët dhe nuk ka dhënë shenja jete. Ata kanë tentuar ta ringjallin në vend dhe kanë thirrur një ambulancë. Menjëherë më pas, ai ndërroi jetë në spital.
Pamjet nga rrjetet sociale tregojnë se policia e ka mposhtur burrin, por ai sërish ka rezistuar. Në një moment, një nga oficerët e ka goditur me grusht në kokë. Pamjet tregojnë gjithashtu atë duke u përpjekur ta ringjallë menjëherë.
Mediat shkruajnë se hetimin e gjithë rastit e ka marrë përsipër Zyra Provinciale e Policisë Kriminale në Shtutgart (LKA), ku dyshohet se është përfshirë edhe prokuroria vendase.
Disa banorë të Manheimit u tronditën nga ngjarja, duke nxitur që qindra prej tyre të protestojnë në vendngjarje. /Nacionale/