Një anije po i afrohet Ukrainës për të marrë drithëra për Afrikën - NACIONALE

Një anije po i afrohet Ukrainës për të marrë drithëra për Afrikën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një anije iu afrua Ukrainës të premten për të marrë grurë për personat e uritur në Etiopi. Kjo është dërgesa e parë për në Afrikë sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja e Turqia për zhbllokimin e eksportit të drithërave nga shteti i goditur nga lufta dhe për lehtësimin e situatës për miliona njerëz në mbarë botën në rrezik nga uria.

Me muaj, luftimet në Ukrainë dhe bllokada e Rusisë nënkuptuan që gruri i kultivuar në Ukrainë, vend i njohur si shportë globale e bukës, u grumbullua në mullinj, duke shkaktuar ngritje të çmimeve dhe duke shkaktuar uri në Afrikë, Lindje të Mesme e në disa pjesë të Azisë. Ditëve të fundit, disa anije me drithëra janë nisur nga portet ukrainase sipas marrëveshjes së re, por shumica e dërgesave ishin me ushqim për kafshë dhe u dërguan në Turqi e në Evropën Perëndimore, raporton AP.

Por të premten, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e njoftoi dërgesën e parë nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së të ndihmës humanitare për Afrikën, që do niset në shpejti. Pasdite, një uebfaqe për përcjelljen e transportit ujor e shfaqi anijen duke iu afruar pjesës jugore të Ukrainës.

Michel tha se anija do të dërgojë grurë në Etiopi, duke thënë se “bashkëpunimi i të gjithë aktorëve të përfshirë është kyç” për lehtësimin e mungesës së ushqimit dhe urisë përreth botës. Anija “Brave Commander” pritet që të transportojë mbi 23.000 tonë drithëra, sipas Ministrisë së Infrastrukturës të Ukrainës. Pritet që anija të ankorohet në Xhibuti.

Etiopia, Somalia e Kenia po ballafaqohen me thatësinë më të madhe në katër dekadat e fundit në Bririn e Afrikës. Mijëra njerëz në atë rajon kanë vdekur nga uria ose sëmundjet këtë vit. Sipas parashikimeve, periudha e pestë e reshjeve nuk pritet të jetë si më parë. Miliona gjedhe, bazë e pasurisë dhe sigurisë ushqimore për shumë familje, kanë ngordhur.

Edhe pse një dërgesë nuk do të ketë ndikim të madh ndaj krizës, Programi Botëror i Ushqimit e cilësoi atë si hap të rëndësishëm për t’i nxjerrë drithërat e Ukrainës e për t’i dërguar në vendet më të prekura nga mungesa e ushqimit.

Përderisa lajmi për afrimin e anijes dha një fije shprese, një zhvillim tjetër e dëmtoi atë – luftimet e vazhdueshme në rajonin Donbas të Ukrainës. Raportohet se qyteza Kramatorsk u godit nga 11 raketa gjatë natës. Shtatë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në këtë vendbanim dhe përreth tij. Qyteza ka mbetur pa gaz, pa ujë të rrjedhshëm dhe pa energji elektrike./Nacionale

Lajme të ngjashme