Një aeroplan i vogël bën ulje urgjente në periferi të Parisit, shpëtojnë pasagjerët - NACIONALE

Një aeroplan i vogël bën ulje urgjente në periferi të Parisit, shpëtojnë pasagjerët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Piloti i një aeroplani të vogël është detyruar që të bëjë ulje emergjente në periferinë jugore të kryeqytetit francez, Paris.

Tre personat që ndodheshin në aeroplan u dërguan në spital me nevojë urgjente për kujdes mjekësor, por lëndimet e tyre nuk u cilësuan si rrezik për jetën, thanë zyrtarët.

Përpos personave që ndodheshin në aeroplan, askush tjetër nuk është lënduar në këtë incident, raporton televizioni BBC.

Aeroplani u lëshua në një zonë banimi në Villejuif pas dështimit të motorit, sipas ministrit të Transportit, Clement Beaune.

Në mesin e tre personave në aeroplan ishin një instruktor në të tetëdhjetat dhe dy pasagjerë në të njëzetat, sipas raportimeve të mediave lokale.

Aeroplani e filloi aterrimin urgjent në një rrugë para se të përplasej në murin e një ndërtese banimi.

Në fund, aeroplani u ndal në një kopsht, në pjesën e pasme të ndërtesës, ndërsa disa pjesë të tij u shpërndanë mbi kulmin e një garazhe.

Bishti i aeroplani ishte shkëputur nga pjesa tjetër, ndërsa edhe krahët iu dëmtuan goxha shumë.

Aeroplani ishte nisur nga Rouen-i, rreth 130 kilometra nga vendi ku e bëri uljen urgjente, dhe duhej të aterronte në Toussus-le-Noble, afër Versajës.

Prokurori rajonal dhe xhandarmëria e transportit ajror nisën një hetim për lëndime të pavullnetshme dhe rrezik të jetës së të tjerëve.

Një hetim për këtë rast është nisur edhe nga Zyra për Hetim dhe Analiza për Sigurinë e Aviacionit Civil.

Lajme të ngjashme