Nis në Evropë rundi i ri i bisedimeve mes Izraelit e Sirisë - NACIONALE

Nis në Evropë rundi i ri i bisedimeve mes Izraelit e Sirisë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Rundi i pestë i bisedimeve mes Izraelit dhe Sirisë nisi të hënën në Paris. Ky është takimi i parë mes përfaqësuesve të dy vendeve në gati dy muaj, pas ngecjes së progresit drejt një marrëveshjeje të sigurisë.

Mediumi amerikan “Axios” raporton se bisedimet pritet të zgjasin dy ditë, duke cituar një zyrtar izraelit dhe një burim tjetër që kishte njohuri rreth hollësive, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Edhe agjencia shtetërore siriane e lajmeve, “Sana”, raportoi se bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara rinisën të hënën.

Kjo agjenci, duke cituar një burim qeveritar sirian, tha se delegacioni i Sirisë po drejtohet nga ministri i Jashtëm, Asaad al-Shibani, dhe shefi i shërbimit të inteligjencës, Hussein al-Salama.

Bisedimet janë të përqendruara te ringjallja e një marrëveshjeje për mospërfshirje [në konflikt] e vitit 1974, me të cilën ishte themeluar një zonë neutrale e vëzhguar nga OKB-ja mes Izraelit e Sirisë pas luftës së vitit 1973, sipas agjencisë “Sana”.

“Axios” raportoi se presidenti amerikan, Donald Trump, i cili është i etur që një marrëveshje mes këtyre dy vendeve të arrihet, kishte kërkuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’i riniste bisedmet me Sirinë. Këtë kërkesë ia bëri gjatë takimit të tyre të fundit në ShBA, sipas mediumit amerikan.

Përderisa Netanyahu pajtohet me Trumpin se një marrëveshje duhet të arrihet së shpejti, ai ka këmbëngulur që pakti të mos i kalojë vijat e kuqe të Izraelit rreth garantimit të sigurisë përgjatë kufirit me Sirinë, i tha mediumit “Axios” një zyrtar izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme