Nis gjyqi ndaj sulmuesit të kryeministrit sllovak Fico, i dyshuari tregon pse e qëlloi me armë - NACIONALE

Nis gjyqi ndaj sulmuesit të kryeministrit sllovak Fico, i dyshuari tregon pse e qëlloi me armë

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Burri që e qëlloi me armë dhe e plagosi seriozisht vitin e kaluar kryeministrin sllovak, Robert Fico, pati fjalë qortuese për të, përderisa u dërgua në pranga në gjykatë të martën, në fillimin e gjykimit që mund ta lërë tërë jetën prapa grilave.

Juraj Cintula, 72 vjeç, pranon se e qëlloi me armë kryeministrin në maj të vitit të kaluar, por mohon se e synonte vrasjen e tij. Prokurorët e kanë cilësuar rastin si akt terrorizmi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet nga një gazetar, përderisa po dërgohej në ndërtesën e Gjykatës së Specializuar Penale në qytetin Banska Bystrica, se pse e kishte qëlluar kryeministrin Fico, Cintula tha: “Sepse ai e mbyti kulturën.”

“Rroftë kultura e lirë” – bërtiti ai, përderisa po ecte me pranga në duar e këmbë drejt gjykatës. “Rroftë demokracia” – shtoi i akuzuari.

Prokurorja Katarin Habcakova than ë gjykatë se autoritetet kishin refuzuar një ofertë nga ekipi i mbrojtjes i të akuzuarit që rasti të zgjidhej duke pranuar një dënim prej 12 vjetësh burgim.

“Cintula veproi për ta paaftësuar (Fico-n) në mënyrë të përhershme nga kryerja e detyrës së tij si kryeministër dhe kështu për t’ia parandaluar Qeverisë funksionimin e duhur” – tha Habcakova.

Në gjykatë, avokati i të akuzuarit tha se mbrojtja e kundërshton akuzën për terrorizëm, pasi jo secili sulm ndaj një zyrtari është terrorizëm dhe Cintual veproi i vetëm kundër kryeministrit.

Sulmuesi shkrepi pesë plumba nga një pistoletë vetëm 1 metër e 20 centimetra larg kryeministrit, kur Fico po përshëndeste disa qytetarë në qytezën Hand. Fico ishte goditur katër herë, përfshirë zonën e barkut./Nacionale

Lajme të ngjashme