Ngrihet flamuri i ShBA-së në rezidencën e ambasadorit amerikan në Siri
Emisari i Shteteve të Bashkuara për Sirinë, Thomas Barrack, të enjten e ngriti flamurin amerikan në rezidencën e ambasadorit në Damask për herë të parë që nga koha kur ambasada ishte mbyllur në vitin 2012, një vit pas fillimit të luftës civile.
Pas disa muajve me angazhim relativisht të vogël me administratën e re siriane, Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar shpejt marrëdhënie me Damaskun në javët e fundit. Presidenti amerikan, Donald Trump, u takua më herët këtë muaj me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, ndërsa Uashingtoni ia lehtësoi Sirisë sanksionet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Barrack, i cili është gjithashtu ambasador i Shteteve të Bashkuara në Turqi, u emërua emisar i ShBA-së pë Sirinë më 23 maj dhe po e zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në këtë shtet.
Shtetet e Bashkuara e kishin mbyllur ambasadën në Damask në shkurt të vitit 2012, gati një vit pas shpërthimit të protestave kundër presidentit të atëhershëm, Bashar al-Assad, të cilët më pas ishin shndërruar në një konflikt të dhunshëm që do të vazhdonte për më shumë se një dekadë.
Ambasadori i atëhershëm amerikan në Damask, Robert Ford, ishte tërhequr nga Siria para se ambasada të mbyllej. Emisarët e mëpastajshëm amerikanë për Sirinë vepronin nga vende të tjera dhe nuk e vizitonin Damaskun.
Gjatë luftës 14-vjeçare në Siri, qindra mijëra njerëz u vranë, miliona të tjerë u zhvendosën brenda e jashtë vendit dhe Perëndimi e shtoi presionin kundër Assadit përmës ndërprerjes së marrëdhënieve e vendosjes së sanksioneve të ashpra, por ai kishte arritur të qëndronte në pushtet me ndihmën e Iranit dhe Rusisë.
Assadi u rrëzua nga pushteti në dhjetorin e vitit të kaluar, përmes një ofensive të shpejtë të rebelëve, të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham i Sharaa-s./Nacionale