Nga sulmet izraelite vriten edhe gjashtë shkencëtarë bërthamorë të Iranit
Gjashtë shkencëtarë bërthamorë të Iranit janë vrarë nga sulmet izraelite, raportoi të premten agjencia iraniane e lajmeve, “Tasnim”, e cila është e lidhur me shtetin.
Në mesin e shkencëtarëve të vrarë janë Fereydoun Abbasi, ish-drejtor i Organizatës së Energjisë Bërthamore të Iranit, dhe Mohammad Mehdi Tehranchi, i cili ka shërbyer si rektor i Universitetit Islamik të Azadit, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, raporton televizioni CNN.
Më herët të premten, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, konfirmoi se një numër i komandantëve ushtarakë dhe shkencëtarëve ishin vrarë nga sulmet izraelite.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka filluar që të rrëzojë dronë që janë nisur nga Irani, sipas një zyrtari ushtarak.
“Ushtria izraelite ka filluar që t’i pengojë dronët e hedhur nga Irani, jashtë territorit izraelit” – i tha të premten televizionit CNN një zyrtar i ushtrisë izraelite.
Më herët, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Effie Defrin, tha se Irani ka hedhur më shumë se 100 dronë drejt territorit të Izraelit në shenjat e para të hakmarrjes ndaj sulmeve të pashembullta izraelite.