“New York Times” me artikull të gjatë për Serbinë dhe Vuçiqin, përmendet edhe Kosova
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, ka botuar një artikull të gjatë për Serbinë, Aleksander Vuçiqin, lidhjet e dyshimta me botën e errët të krimit dhe raportet me Kosovën.
Pjesë e rëndësishme e artikullit është rasti i njohur i huliganit të futbollit dhe trafikuesit të kokainës, Veljko Belivuk. Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një varg krimesh serioze, por kurrë nuk qëndroi gjatë në burg.
Kishte thashetheme se Belivuku kishte lidhje të mira me policinë dhe shërbimet serbe të inteligjencës. Ai dhe njerëzit e tij ishin fotografuar në shoqërinë e njerëzve të fuqishëm, përfshirë djalin e presidentit, Danilo Vuçiq.
Pas një konference për gazetarë nga Vuçiqi për arrestimin e Belivukut, ky e paraqiti versionin e tij të ngjarjes në një seancë me dyer të mbyllura në gjykatë. Ai tha se banda e tij ishte organizuar “për nevojat e Vuçiqit dhe me urdhrin e tij”.
Ai i përshkroi disa prej “punëve” që pretendoi se banda i kishte kryer për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë dhe parandalimi i brohoritjeve të tifozëve kundër Vuçiqit në ndeshjet e futbollit – shërbim i çmuar në një vend ku stadiumi mund të bëjë ose të thyejë një president. Belivuku kishte paralajmëruar se nëse Vuçiqi i vazhdon procedurat kundër tij, ai do të ketë shumë më shumë për të thënë, raporton “The New York Times”.
Vuçiqi i kishte mohuar me zemërim të gjitha lidhjet me vrasësit, por dukej sikur po e merrte personalisht rastin me Belivukun, nganjëherë duke lënë të kuptohet se ky ishte konspiracion kundër tij. Në një intervistë televizive disa muaj pas arrestimeve, ai pretendoi se njerëzit e Belivukut i kishin shndërruar viktimat në “qebapë njerëzorë” dhe i kishin dërguar te shefi i Belivukut, Radoje Zvicer.
Duke e shikuar kamerën dhe duke iu drejtuar Zvicerit, i cili ende është në arrati, Vuçiqi e sfidoi atë: “E ftoj që të më vrasë. Nuk kam problem me këtë, sepse është më mirë që të shndërrohesh në mish të grirë, se t’i lësh këta bastardë që ta drejtojnë Serbinë”.
Më poshtë në artikull, gazeta amerikane e përmend edhe Kosovën. “Udhëheqësit serbë mbeten thellësisht të pakënaqur për ndarjen e Kosovës nga Serbia pas luftëtarëve jugosllave të viteve ’90 dhe refuzojnë që ta njohin pavarësinë e saj, e cila është vendosur ndërkombëtarësisht më 2008”- raportoi kjo gazetë.
“Skenari që i lë pa gjumë udhëheqësit e Evropës Perëndimore është diçka si ky: Vuçiqi, duke përmendur një rrezik ndaj pakicës serbe, dërgon trupa matanë kufirit dhe e anekson Kosovën veriore. Serbët në pjesë të tjera të rajonit pastaj largohen nga shtëpitë e tyre ose kërkojnë më shumë ndryshime kufijsh. Kjo do të mund ta sillte fundin e Marrëveshjes së Dejtonit, pakt i ndërmjetësuar nga diplomati amerikan, Richard Hplbrooke, që u dha fund luftimeve më të rënda më 1995 dhe e rivizatoi hartën e ish-Jugosllavisë. Kjo mund të nxisë një luftë tjetër. Edhe pa dhunë, rënia e Marrëveshjes së Dejtonit do t’i fuqizonte politikat e solidaritetit etnik dhe autokracisë në mbarë Ballkanin”- shkruan më tutje gazeta e njohur amerikane.
“Një skenar tjetër e përfshin fshehjen e qëllimeve irredentiste nga Vuçiqi deri pas pranimit të Serbisë në BE. Kjo skriptë e kalit të Trojës është bërë e besueshme pjesërisht për shkak të kryeministrit joliberal të Hungarisë, Viktor Orban, aleat i ngushtë i Vuçiqit që ka lobuar me zell për pranimin e Serbisë në BE. Ai duket se po shpreson që Vuçiqi do të mund ta ndihmonte Hungarinë, anëtare e BE-së që nga viti 2004, për ta kthyer klubin evropian drejt një rrjedhe më populiste e më pak demokratike”- shkruan gazeta.