“New York Times” e godet Serbinë: Është vegël e Rusisë - NACIONALE

“New York Times” e godet Serbinë: Është vegël e Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I vëmendshëm ndaj plagëve të zemëruara e ende të pashëruara, të lëna nga bombardimi i Serbisë nga NATO-ja para më shumë se 20 vitesh, ambasadori i Ukrainës u shfaq në televizionin serb, pasi Rusia u fut dhe e bombardoi vendin e tij, me shpresë që të nxiste keqardhje.

Andrew Higgins, "The New York Times"

Në vend që ta shfrytëzonte kohën për ta shpjeguar mjerimin e Ukrainës, megjithatë, ambasadori Oleksandr Aleksandrovych u desh që të qëndronte i ulur para fjalimeve të fryra të komentuesve pro-rusë serbë dhe videove të gjata të presidentit rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar Ukrainën si çerdhe të nazistëve. Emisioni, i transmetuar nga televizioni pro-qeveritar, “Happy TV”, zgjati tri orë dhe më shumë se në gjysmën e kësaj kohe u shfaq Putini.

I zemëruar me pritën në transmetim të drejtpërdrejtë, ambasadori iu ankua producentit për ushtrimin e propagandës pro-ruse, por iu tha që të mos e marrë këtë personalisht dhe se Putini “është i mirë për klasifikimin tonë”.

Fakti që udhëheqësi rus, i parë nga shumë në Perëndim, përfshirë Presidentin Biden, si kriminel lufte, shërben në Serbi si joshje për shikuesit, të sjell në mend se Kremlini ende ka admirues në Evropë.

Ndërsa Gjermania, Polonia dhe disa shtete të tjera të BE-së shfaqin solidaritet me Ukrainën duke e ngritur flamurin e saj në ambasadat e tyre në Beograd, një rrugë aty afër e nderon Putinin. Në një mural të pikturuar në mur shfaqet një imazh i udhëheqësit rus pranë fjalës “vëlla” në gjuhën serbe.

Një pjesë e shkëlqimit të Putinit mbështetet te imazhi i tij si njeri i fuqishëm, si model tërheqës për Presidentin Alekander Vuçiq, udhëheqës gjithnjë më autoritar i Serbisë, dhe për Kryeministrin Viktor Orban, udhëheqës joliberal në mënyrë luftarake i Hungarisë. Të përballur me zgjedhje të dielën, udhëheqësit serb e hungarez gjithashtu e shohin Rusinë si burim të besueshëm të energjisë për t’i mbajtur të lumtur votuesit e tyre. Anketat thonë se të dy do të fitojnë.

Pastaj është historia, ose të paktën një version i mitizuar i të kaluarës, që, në rastin e Serbisë, e paraqet Rusinë, komb gjithashtu sllav dhe ortodoks, si mike dhe mbrojtëse të palëkundshme me shekuj.

Por ndoshta më i rëndësishmi është roli i Putinit si yll orientues për kombet që, pavarësisht krimeve të tyre në të kaluarën, e shohin veten si të vuajtura, jo agresore, dhe politikat e psikika e të cilave sillen rreth kulteve të viktimizimit, të ushqyera nga zemërimi dhe ankimi kundër Perëndimit.

Arijan Djan, psikoterapiste në Beograd, tha se është tmerruar nga mungesa e keqardhjes në mesin e shumë serbëve për vuajtjet e ukrainasve, por kuptoi se shumë ende i kanë shenjat e traumës së të kaluarës, që e shkatërroi tërë ndjeshmërinë për dhimbjen e të tjerëve.

“Individët që përjetojnë trauma me të cilat nuk janë përballur kurrë më parë, nuk mund të ndiejnë keqardhje”, tha ajo. Shoqëritë, si individët me shenja të traumave, shtoi ajo, “vetëm i përsëritin rrëfimet e e njëjta të vuajtjes së tyre përsëri e përsëri”, një pllakë e thyer gramafoni që “e fshin tërë përgjegjësinë” për atë që ata ua kanë bërë të tjerëve.

Ndjenja e të qenët viktimë ndihet fort në Serbi, duke i parë krimet e kryera nga bashkëvendësit e tyre gjatë luftërave të Ballkanit në vitet e nëntëdhjeta si reagim mbrojtës ndaj vuajtjeve të shkaktuara ndaj serbëve, njësoj sikur Putini që e paraqet sulmin e tij të përgjakshëm ndaj Ukrainës si përpjekje me të drejtë për t’i mbrojtur rusët e përndjekur etnikë, që i përkasin “Russky mir”-it ose “botës ruse”.

“Bota ruse e Putinit është një kopje identike e asaj që nacionalistët e quajnë Serbi e Madhe”, tha Boshko Jaksiq, kolumnist pro-perëndimor. Ajo i shtoi se të dyja ushqehen në historitë pjesërisht të kujtueshme të padrejtësisë në të kaluarën dhe në kujtimet e fshira të mëkatëve të tyre.

Fryma e rrëfimit prej viktime është aq e fuqishme te disa në Serbi, saqë “Informer”-i, gazetë e ashpër që shpesh e reflekton mendimin e Vuçiqit, presidentit, muajin e kaluar i raportoi përgatitjet e Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës me një titull në faqe të parë duke e shndërruar Moskën në të pafajshme: “Ukraina e sulmon Rusinë!”, u çor kjo gazetë.

Aleksandrovych, ambasadori i Ukrainës në Serbi, tha se e mirëpret ndryshimin e tonit, por ende e ka vështirë që t’i bëjë serbët të shikojnë përtej vuajtjeve të tyre në duart e NATO-s më 1999. “Për shkak të traumës që asaj që ka ndodhur 23 vite më parë, gjithçka tjetër e keqe, që ndodh në botë, shihet si faj i Amerikës”, tha ai.

Hungaria, që ishte në anën e palëve humbëse në dy luftërat botërore, gjithashtu ushqen një kompleks shumë të madh të viktimës, të rrënjosur në humbjen e pjesëve të mëdha të territorit. Z. Orban i ka ushqyer me ëndje këto zemërime me vite, shpesh duke e marrë anën e Rusisë para Ukrainës, e cila kontrollon një rriskë të tokës ish-hungareze dhe është shfaqur në mënyrë të shquar në përpjekjet e tij për ta paraqitur veten si mbrojtës të hungarezëve etnikë që jetojnë përtej kufirit të vendit.

Në Serbinë fqinje, Z. Vuçiq, në ankth për ta shmangur armiqësimin e votuesve pro-rusë para zgjedhjeve të së dielës, i ka refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe pezullimin e fluturimeve mes Beogradit dhe Moskës. Por Serbia votoi në favor të një rezolute të Kombeve të Bashkuara më 2 mars, që e dënon pushtimin rus.

Kjo ishte e mjaftueshme që Vuçiqi të fitonte çmuarje nga Victoria Nuland, nënsekretare amerikane e Shtetit, e cila e falënderoi Serbinë “për përkrahjen e saj për Ukrainën”. Por kjo nuk e ndaloi ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, që të hënën ta përmendte Beogradin si vend të mirë për zhvillimin e bisedimeve të paqes mes Moskës e Kievit.

Serbët që duan që vendi i tyre të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe të ndalojë së vallëzuari mes Lindjes e Perëndimit, e akuzojnë z. Vuçiq se po luan lojë të dyfishtë. “Ka lëvizje tektonike që po ndodhin dhe ne po mundohemi që të flemë gjatë tyre”, tha Vladimir Medjak, nënkryetar i “European Movement Serbia”, grup lobues që synon ta çojë përpara anëtarësimin në BE.

Ai thotë se Serbia nuk është aq pro-ruse, sa është urrejtëse ndaj NATO-s.

Në vend që të lëvizin drejt Evropës, ai shtoi: “Ne ende po flasim se çfarë ka ndodhur në të nëntëdhjetat. Është lak i pafund. Kemi ngecur në vend duke folur për të njëjtat gjëra në mënyrë të përsëritur”, tha ai.

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftimeve në Ballkan, shumë serbë ende i mohojnë krimet e luftës në Srebrenicë, ku ushtarët serbë masakruan më shumë se 8.000 myslimanë boshnjakë më 1995, dhe në Kosovë, ku përndjekja brutale serbe ndaj shqiptarëve e nxiti fushatën bombarduese të NATO-s më 1999, si anë tjetër e vuajtjeve të shkaktuara ndaj serbëve.

E pyetur nëse e miraton luftën e nisur nga Putini ndërsa ecte pranë muralit në nderim të tij në Beograd, Milica Zuriq, 25-vjeçare që punon në bankë, u përgjigj duke pyetur se pse mediet perëndimore përqendrohen tek agonitë e Ukrainës, kur “ju nuk kishit interesim për dhimbjen serbe”, të shkaktuar nga aeroplanët e NATO-s më 1999. “Askush nuk qau për atë që na ndodhi neve”, tha ajo.

Kur një pjesë e madhe e medieve të botës javën e kaluar u përqendruan te shkatërrimi i Mariupolit, qytet bregdetar ukrainas, nga rusët, Serbia e përkujtoi fillimin e fushatës bombarduese të NATO-s. Faqet e para të gazetave u mbushën me fotografi të ndërtesave e hekurudhave të shkatërruara nga NATO-ja. “Nuk mund të harrojmë. Ne e dimë se çfarë është të jetosh nën bombardime”, u shkrua në një titull të gazetës pro-qeveritare, “Kurir”.

Një grup i vogël i protestuesve u mblodhën para ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe më pas iu bashkuan një proteste shumë më të madhe pro-ruse, ku protestuesit valëvitnin flamuj rusë, të stolisur me shkronjën Z, që është bërë emblemë e përkrahjes për pushtimin rus.

Damnjan Knezeviq, kryetar i “Patrullës së Popullit”, grup i të djathtës ekstreme që e organizoi protestën, tha se ndien solidaritet me Rusinë, sepse ajo është portretizuar si agresore në Perëndim, njësoj si Serbia në vitet e nëntëdhjeta, kur, sipas tij, “Serbia, në realitet, ishte viktima më e madhe.” Rusia kishte për detyrë që t’i mbronte bashkëkombësit në Ukrainë njësoj siç bëri Serbia në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, tha z. Knezeviq.

Boshko Obratoviq, kryetar i partisë konservatore, “Dveri”, tha se ndien keqardhje për pasojat ndaj civilëve në Ukrainë, por këmbënguli që “NATO-ja ka përgjegjësi të madhe” për fatin e tyre.

Të dielën, z. Obratoviq mblodhi përkrahës për një tubim parazgjedhor në një kinema të Beogradit. Në një tezgë para hyrjes shiteshin bereta të paramilitarëve serbë, kapela ushtarake dhe flamuj të mëdhenj rusë.

Predrag Markoviq, drejtor i Institutit për Histori Bashkëkohore në Beograd, tha se historia ka shërben si themel i kombit, por, e shtrembëruar nga agjendat politike, “gjithmonë i ofron mësimet e gabuara”. Rasti i vetëm i një vendi në Evropë që i ka pranuar plotësisht krimet e veta në të kaluarën, shtoi ai, është Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

“Të gjithë të tjerët kanë nga një rrëfim të viktimizimit”, tha z. Markoviq.

Ky shkrim është përkthyer nga Gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme