Netanyahu po përgatiste një sulm domethënës kundër Iranit, por Trumpi e bindi të sprapsej
Izraeli ishte duke u përgatitur për një sulm domethënës në Teheran të hënën, kur presidenti amerikan, Donald Trump, zhvilloi një telefonatë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’i thënë që të përmbahej nga sulmet e mëtejme hakmarrëse, sipas një burimi izraelit dhe një zyrtari amerikan të afërt me çështjen.
Ndërhyrja e presidentit amerikan duket se funksionoi. Netanyahu njoftoi më pas se Izraeli i kishte ndalur sulmet ndaj Iranit tani për tani, raporton televizioni CNN.
Kjo ishte telefonata e dytë e Trumpit me Netanyahun brenda disa orëve. Në një bisedë të mëhershme, presidenti gjithashtu e kishte udhëzuar kryeministrin izraelit që të përmbahej nga kundërpërgjigjja ndaj raketave që Irani i kishte hedhur drejt Izraelit.
Netanyahu ishte këmbëngulës në telefonatën e parë, e cila u zhvillua të dielën në mbrëmje, sipas zonës kohore lindore të ShBA-së. Ai këmbënguli se Izraeli duhej t’u kundërpërgjigjej sulmeve nga Irani, tha burimi izraelit. Trumpi i tha Netanyahut që ta kufizonte kundërpërgjigjen me qëllim që të shmangej përshkallëzimi.
Më pas, Izraeli vuri në shënjestër zona në Iran që përfshinë një objekt të rëndësishëm petrokimik.
Toni i bisedave nuk ishte i tensionuar si në telefonatat që dy udhëheqësit i patën javën e kaluar, ku u përfshi mallkimi i Trumpit ndaj Netanyahut.
Në dy telefonatat e reja, Trumpi e vuri në pah besimin e tij se një marrëveshje me Iranin ishte në fazat përfundimtare të negocimit dhe se kthimi në luftë do të mund t’i pengonte përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë diplomatike./Nacionale