Netanyahu pasi takoi Blinkenin: I tregova se jam betuar për ta shkatërruar Hamasin, asgjë s’do të na ndalë - NACIONALE

Netanyahu pasi takoi Blinkenin: I tregova se jam betuar për ta shkatërruar Hamasin, asgjë s’do të na ndalë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se e ka përfunduar takimin me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken.

Duke theksuar se ky takim u zhvillua pak pas vrasjes së tre izraelitëve nga dy palestinezë në Jerusalem, përgjegjësinë për të cilën e mori Hamasi, Netanyahu deklaroi se Blinkenit i tha: “Ky është Hamasi i njëjtë. Është Hamasi i njëjtë që e kreu masakrën e tmerrshme më 7 tetor, Hamasi i njëjtë që po mundohet të na vrasë kudo”- raporton gazeta “The Times of Israel”.

“I tregova atij [Blinkenit] se ne jemi betuar, dhe unë jam betuar, që ta shkatërrojmë Hamasin. Asgjë nuk do të na ndalë”- shtoi kryeministri izraelit.

Ai përsëri paralajmëroi se lufta në Gaza do të vazhdojë derisa Izraeli t’i lirojë të gjitha pengjet, derisa të mposhtet Hamasi dhe derisa të garantojë që asnjë rrezik tjetër i ngjashëm nuk do t’i kanoset prapë vendit nga Gaza.

Kryediplomati amerikan u takua edhe me presidentin izraelit, Isaac Herzog. “Gjatë javës së fundit, kemi qenë dëshmitarë të zhvillimeve pozitive me pengjet që vijnë në shtëpi e shtim të ndihmave humanitare që po arrijnë te civilët e pafajshëm në Gaza, të cilët kanë urgjentisht nevojë për përkrahje”- tha Blinkeni.

Në orët e para të së enjtes, Izraeli dhe Hamasi u pajtuan në momentet e fundit që ta vazhdonin edhe për një ditë marrëveshjen e armëpushimit në mënyrë që të shkëmbeheshin më shumë pengje e të burgosur.

Lajme të ngjashme