Në prag të përvjetorit të luftës, forcat ruse shtojnë sulmet në lindje të Ukrainës - NACIONALE

Në prag të përvjetorit të luftës, forcat ruse shtojnë sulmet në lindje të Ukrainës

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa Kievi është duke u përgatitur për të shënuar përvjetorin e parë të zymtë të pushtimit, forcat ruse kanë shtuar sulmet përgjatë vijës së frontit lindor të luftës në Ukrainë.

Mes frikës se presidenti rus, Vladimir Putin, ka për synim të shënojë një vjetorin me sulme të reja, shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se në 24 orët e fundit ka zmbrapsur 90 sulme në lindje dhe veri-lindje të vendit.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë të enjten se Ukraina do ta mbizotërojë luftën, e cila ka nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar.

“Nuk jemi thyer, kemi kapërcyer shumë sprova dhe do të triumfojmë. Do të mbajnë llogari të gjithë ata që sollën këtë të keqe, këtë luftë në tokën tonë,”- ka shkruar Zelenskiy në rrjetet sociale.

Sipas përditësimit të shtabit të përgjithshëm, Rusia ka nisur sulmet e fundit pranë Kupiansk, në rajonin lindor të Kharkiv, dhe në rajonin e Luhansk dhe Donetsk, të gjitha vendet ku forcat ruse kanë përqendruar ofensivën e tyre.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës gjithashtu ka thënë se deri më tani, Rusia ka gjuajtur rreth 5,000 raketa dhe ka kryer pothuajse 3,500 sulme ajrore, ndërsa sipas OKB-së, më shumë se 7,000 civilë kanë mbetur të vrarë.

Rritja e ofensivave ruse në lindje, vjen mes frikës së Ukrainës se Moska do të shënojë vitin e parë të luftës duke synuar qytetet e saj me raketa dhe drone kamikaze.

Zyrtarët ukrainas kanë vënë në dukje se ata besojnë se këto sulme mund të jenë përpjekjet e fundit nga mjetet ruse të zbulimit ajror, për të identifikuar vendndodhjen e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Ata kanë shtuar se besojnë se këto përpjekje mund të jenë preludi i një sulmi tjetër masiv me raketa.

Lajme të ngjashme