Në ndjekje nga Deti i Karaibeve, ShBA-ja kap një anije të lidhur me Venezuelën në Oqeanin Indian
Forcat amerikane u lëshuan në një anije për transportimin e naftës së papërpunuar në Oqeanin Indian, pasi i ishin vënë në ndjekje nga Deti i Karaibeve, tha të hënën sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke e akuzuar anijen për shkeljen e bllokadës së Uashingtonit ndaj anijeve të sanksionuara që udhëtojnë për në Venezuelë ose që mundohen të largohen nga ky shtet.
Anija “Aquila II” ishte nisur nga ujërat venezuelase në fillim të janarit si pjesë e një flote anijesh. Ajo ishte duke transportuar rreth 700.000 fuçi të naftës së papërpunuar venezuelase, e planifikuar për t’u dërguar në Kinë, sipas orareve të kompanisë shtetërore, PDVSA. Shumica e anijeve të kësaj flote janë kthyer në Venezuelë ose janë sekuestruar nga ShBA-ja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sekretari Hegseth tha se anija “Aquila II” ishte duke operuar në kundërshtim me “karantinën e anijeve të sanksionuara në Karaibe”, masë e vendosur nga Uashingtoni.
“Departamenti i Luftës [i Mbrojtjes] e përcolli dhe iu vu pas kësaj anije nga Karaibet në Oqeanin Indian.... Ju do të mbeteni pa karburant shumë kohë para se të na tejkaloni ne” – shkroi ky departament në rrjetin X.
Sipas bazave të të dhënave rreth transportit detar, nuk ishte e qartë se ku ishte e regjistruar anija e ndalur në Oqeanin Indian.
Pas kapjes së presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, përmes një operacioni ushtarak muajin e kaluar në Karakas, Shtetet e Bashkuara e kanë përshkallëzuar bllokadën ndaj anijeve që janë nën sanksione e që synojnë të hyjnë apo të dalin nga Venezuela, shtet anëtar i organizatës së vendeve prodhuese të naftës, OPEC.
When the @DeptofWar says quarantine, we mean it. Nothing will stop DoW from defending our Homeland — even in oceans halfway around the world.
— Department of War 🇺🇸 (@DeptofWar) February 9, 2026
Overnight, U.S. military forces conducted a right-of-visit, maritime interdiction and boarding on the Aquila II without incident in the… pic.twitter.com/kYVAQC5io9