Në mungesë trupash, Ukraina po u jep të ikurve një mundësi të dytë - NACIONALE

Në mungesë trupash, Ukraina po u jep të ikurve një mundësi të dytë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përderisa ushtria ukrainase po ballafaqohet me vështirësi për të gjetur trupa të mjaftueshme, sidomos në këmbësori, për t’iu kundërvënë ushtrisë ruse shumë më të madhe, disa njësite po u japin nga një mundësi të dytë atyre që ishin larguar pa leje nga shërbimi.

Sipas të dhënave nga Zyra e Prokurorit, gati 95 mijë raste penale janë hapur nga viti 2022 kundër ushtarëve që “mungojnë pa leje” dhe për krimin më serioz – dezertimin në fushën e betejës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Numri i rasteve është rritur shumë për çdo vit të luftës: gati gjysma e shifrës së përgjithshme janë nga viti 2024. Kur shumë trupa janë vrarë ose janë plagosur, ky është një shterim që Ukraina zor se mund ta përballojë.

Tani, disa njësite po i plotësojnë rangjet e tyre duke pranuar ushtarë që më parë ishin shpallur si “të munguar pa leje”.

Njëra nga to është Brigada e 47-të, e cila muajin e kaluar publikoi një shkrim në rrjete sociale, ku ftoheshin për t’iu bashkuar ushtarët që kishin ikur nga detyra.

“Qëllimi ynë është që t’ia japim secilit ushtar mundësinë për t’u kthyer në tufë dhe për ta realizuar potencialin e tij” – thuhet në atë shkrim. Sipas kësaj brigade, më shumë se 100 aplikime u pranuan në dy ditët e para.

“Ishte një cunami aplikimesh, aq shumë, saqë ne ende nuk mund t’i procesojmë të gjitha para se të paraqiten të rejat” – tha Viacheslav Smirnov, drejtor i rekrutimit në Brigadën e 47-të, dy javë pas shpalljes së njoftimit.

Dy njësi ushtarake, me të cilat bisedoi agjencia “Reuters”, thanë se ato ishin duke rekrutuar vetëm ushtarë që ishin larguar pa leje nga bazat e tyre, e jo ata që kishin dezertuar nga luftimet.

E para shihet brenda ushtrisë ukrainase si shkelje më e lehtë. Një ligj i miratuar rishtazi praktikisht e ka dekriminalizuar zhdukjen e parë të një ushtari, duke ia mundësuar atij rikthimin në shërbim.

Koloneli Oleksandr Hrynchuk, nënkomandant i Policisë Ushtarake të Ukrainës, tha të martën para gazetarëve se 6 mijë ushtarë të munguar pa leje ishin rikthyer në shërbim në muajin e fundit, përfshirë tre mijë në 72 orët e fundit që nga nënshkrimi i ligjit.

Mykhailo Perets, oficer nga Batalioni K-2 i Brigadës së 54-të të Ukrainës, tha se batalioni i tij tashmë kishte angazhuar mbi 30 burra që ishin larguar pa leje nga njësite të tjera.

“Arsyet [për largim pa leje nga shërbimi] janë të ndryshme: për disa, ishte shumë i vështirë kalimi drejt nga jeta civile, të tjerë shërbyen për një vit ose dy si pilotë të kualifikuar [të dronëve], por pastaj u dërguan në vijën e frontit, sepse nuk kishte këmbësori të mjaftueshme” – tha ai.

Peretsi thotë se në mesin e atyre që kanë aplikuar deri më tani përfshihen burra që ishin dërrmuar dhe ishin larguar, pasi ishin dërguar në luftë për shtatë ose tetë vjet, pasi kishin luftuar edhe kundër forcave të përkrahura nga Rusia në lindje të Ukrainës edhe para vitit 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është përgjigjur pyetjeve rreth problemit me fuqi njerëzore duke argumentuar se vendit të tij i mungojnë armët e jo njerëzit dhe ka dalë kundër presionit të Shteteve të Bashkuara për ta ulur moshën minimale të rekrutimit nga 25 në 18 vjeç.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme