Në Iran thyhet barriera e frikës - regjimi mund të jetë në një pikë pa kthim - NACIONALE

Në Iran thyhet barriera e frikës - regjimi mund të jetë në një pikë pa kthim

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Për javë të tëra, një lëvizje proteste mbarëkombëtare në Iran, ka marrë vrull pamëshirshëm dhe duket se ka zbehur taktikat e frikësimit prej dekadash të qeverisë.

Parullat kundër udhëheqjes klerikale janë duke jehuar në të gjithë qytetin e Teheranit. Ndërsa, videot e nxënëseve që tundin shamitë e tyre në ajër teksa këndojnë këngë proteste në klasa janë bërë virale, ashtu si edhe imazhet e protestuesve që luftojnë kundër anëtarëve të grupit të frikshëm paraushtarak Basij.

Të gjitha këto, janë skena që më parë besohej të ishin të paimagjinueshme në Iran, ku udhëheqësi suprem Ayatollah Khamenei sundon me një grusht të hekurt. Por ekspertët thonë se këto protesta tejkalojnë ndarjet e shumta sociale dhe etnike të Iranit, duke thyer një barrierë frike prej dekadash dhe duke paraqitur një kërcënim të paprecedentë për regjimin.

Në të gjithë Iranin, protestuesit duket se synojnë të ekspozojnë dobësitë e një institucioni klerik, i cili akuzohet gjerësisht për korrupsion dhe ka zhdukur mospajtimin me ndalime arbitrare dhe madje edhe ekzekutime masive.

Që nga vdekja e Mahsa Aminit në mesin e shtatorit, një grua 22-vjeçare që vdiq pasi u ndalua nga policia morale e vendit për mënyrën se si ishte veshur, Teherani është goditur nga demonstratat.

Protestat shfaqen në mënyrë sporadike në pjesë të ndryshme të kryeqytetit çdo ditë. Ndërsa gjatë natës, një brohoritje që është bërë element kryesor i protestave - "vdekje diktatorit" - tingëllon nga çatitë e ndërtesave. Kjo thirrje është një referencë për Khamenei, i cili dikur konsiderohej i paprekshëm për shkak të statusit të tij të ngritur klerik.

'Ky nuk është fundi'

Demonstratat kundër regjimit kanë depërtuar gjithashtu në bazat e pushtetit të Republikës Islamike, duke përfshirë qytetet e shenjta shiite, Mashhad dhe Qom. Protesta kanë organizuar gjithashtu pakicat etnike - veçanërisht kurdët në veri dhe veriperëndim të vendit, dhe njerëzit Baloch në juglindje, duke duruar ato që duket të jenë disa nga goditjet më brutale, me dhjetëra të vrarë.

Shkollat ​​e mesme dhe universitetet anembanë vendit janë pika ndezjeje, me gratë dhe vajzat që kanë hequr shamitë e tyre të detyrueshme, të njohura si hixhabe.

“Këta terroristë mendojnë se brezi ynë është gjenerata e mëparshme. Ne nuk jemi," është shprehur për CNN një protestues nga Universiteti prestigjioz i Teknologjisë Sharif i Teheranit, duke iu referuar policisë iraniane që kishte goditur dhunshëm demonstruesit në kampus dhe kishte arrestuar shumë të rinj.

Videoja e mediave sociale tregoi makinat që mbushnin rrugët pak pasi u përhap lajmi për goditjen ndaj studentëve.

“Nëse ulet pluhuri dhe ne pushojmë së protestuari, ata do të na vrasin edhe më shumë. Ata do të arrestojnë edhe më shumë njerëz dhe do të na kthejnë në Korenë e Veriut”, kështu është shprehur një protestues tjetër i pasionuar, duke shtuar se, "ky nuk është fundi, ju premtoj këtë.”

CNN nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e të vdekurve dhe të plagosurve, por media shtetërore thotë se që nga fillimi i protestave kanë humbur jetën 40 persona. Ndërkohë, Amnesty International thotë se janë të vrarë të paktën 52. Besohet poashtu se janë mbi 1000 të arrestuar, përfshirë gazetarë dhe artistë.

Javën e kaluar, Amnesty International tha se kishte marrë një dokument të zbuluar i cili duket se udhëzon komandantët e forcave të armatosura në të gjitha provincat që të “përballen pa mëshirë” me protestuesit, duke vendosur policinë e trazirave, si dhe disa anëtarë të Gardës Revolucionare elitare të ushtrisë, forcën paraushtarake Basij dhe agjentët e sigurimit me rroba civile.

Përveç kësaj, Amnesty International tha se kishte parë prova të sulmeve seksuale ndaj protestuesve femra – këto deklarime nuk janë konfirmuar nga CNN, por video të shumta në mediat sociale tregojnë forcat iranane të sigurisë duke tërhequr zvarrë nga flokët nëpër rrugë, gra të pambuluara.

'Një kërcënim ekzistencial'

Analistët thonë se kërcënimi i paraqitur nga këto protesta, është ekzistencial për regjimin dhe një nga sfidat më të mëdha me të cilët është përballur Republika Islamike ndër vite.

"Këta janë kryesisht shumë, shumë të rinj, një brez i ri që me sa duket e kanë humbur plotësisht besimin se kjo Republikë Islamike mund të reformohet," tha Trita Parsi, nënkryetare ekzekutive në Institutin Quincy me qendër në Uashington, DC.

“Ata po shkëputen nga gjenerata e tyre e mëparshme që kërkonte të reformonte sistemin nga brenda”, shtoi Parsi. “Ky brez i ri duket se nuk ka fare besim në këtë.”

Kujtojmë se të hënën, 83-vjeçari Khamenei, komentoi për herë të parë protestat duke fajësuar – pa prova Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e protestave. Ai gjithashtu e bëri të qartë se regjimi do të bllokonte dëshirën e protestuesve për ndryshim.

Lajme të ngjashme