Gratë franceze presin flokët në mbështetje të protestave në Iran - NACIONALE

Gratë franceze presin flokët në mbështetje të protestave në Iran

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Më shumë se 50 gra franceze të profilit të lartë kanë filmuar veten duke prerë flokët në mbështetje të grave dhe vajzave iraniane që janë vrarë në protestat për vdekjen e Mahsa Aminit pas arrestimit të saj nga policia morale iraniane.

Në këtë nismë janë përfshirë disa nga emrat më të njohur të kinemasë franceze, si; Juliette Binoche, Marion Cotillard, Isabelle Adjani dhe Isabelle Huppert, si dhe këngëtarja belge Angèle. Duke prerë flokët u shfaqën edhe, këngëtarja me origjinë britanike Jane Birkin – e cila është filmuar me vajzën e saj Charlotte Gainsbourg – dhe aktorja Charlotte Rampling, që jetojnë në Francë, si dhe Julie Gayet, gruaja e ish-presidentit francez François Hollande.

Një përmbledhje e videove të publikuara në rrjetet sociale, u shoqërua me kolonën zanore të një versioni persian të këngës popullore italiane Bella Ciao nga një këngëtar i ri iranian i quajtur Gandom.

Bella Ciao e ka origjinën në vështirësitë e punëtoreve femra të fushës në fund të shekullit të 19-të dhe u bë himni i lëvizjes italiane të rezistencës nga partizanët që kundërshtonin fashizmin në Luftën e Dytë Botërore. Që atëherë, kënga është bërë një himn i lirisë dhe i rezistencës.

Videoja u shfaq të mërkurën në mëngjes në Instagram në hashtagun, #soutienfemmesiran (mbështes gratë iraniane) dhe hashtag #HairforFreedom, është postuar edhe në Twitter.

Kujtojmë se, në të gjithë Iranin janë duke u zhvilluar protesta nën sloganin "Gratë, jetë, liri", duke djegur shamitë dhe duke u përballur me policinë dhe zyrtarët e sigurisë.

Kjo valë zemërimi u ndez pasi Amini, një grua kurde 22-vjeçare, vdiq në paraburgim më 16 shtator, tre ditë pas arrestimit të saj për gjoja shkeljen e rregullave të rrepta të Iranit për gratë në mbajtjen e shamive të kokës dhe veshjeve modeste.

Videoja franceze i bën jehonë, videove të tjera që tregojnë gra iraniane duke hequr hixhabet dhe duke i prerë flokët.

Në Instagram, video u shoqërua me mesazhin: “Është e pamundur të mos e denoncosh herë pas here këtë represion të tmerrshëm. Të vdekurit tashmë numërohen në dhjetëra, përfshirë edhe fëmijë. Arrestimet vetëm sa shtojnë numrin e të burgosurve tashmë të ndaluar ilegalisht dhe të torturuar shumë shpesh. Prandaj, ne kemi vendosur t'i përgjigjemi thirrjes duke prerë disa nga fijet e flokëve."

Lajme të ngjashme