Në Dubai nis samiti global për klimën – mungojnë dy figurat kyçe - NACIONALE

Në Dubai nis samiti global për klimën – mungojnë dy figurat kyçe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet ndërkombëtare për klimën u shndërruan në lojë fuqie të premten, përderisa dhjetëra udhëheqës botërorë, përfshirë princin saudit e kryeministrin indian, pritet të mbajnë fjalime. Sidoqoftë, dy prej udhëheqësve më të fuqishëm në botë – Joe Biden i ShBA-së e Xi Jinping i Kinës – mungojnë.

Princi Mohammed Bin Salman i Arabisë Saudite, prodhuese kryesore e naftës, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, qytetet më të mëdha të së cilës rregullisht kaplohen nga ajri i ndotur, si dhe presidentët Emmanuel Macron i Francës, Cyril Roamaphosa i Afrikës së Jugut, Abdel Fattah el-Sissi i Egjiptit e Rexhep Erdogan i Turqisë janë në mesin e mbi 130 udhëheqësve botërorë që pritet të flasin në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Dubai të premten e të shtunën.

Ideja është që planeti të mbrohet nga ngrohja e tepërt për shkak të veprimeve të njerëzve, raporton agjencia “Associated Press”.

Me rastin e nisjes së samitit, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, para udhëheqësve botërorë tha: “Shenjat vitale të Tokës po dështojnë. Ju mund t’i parandaloni rrëzimin dhe djegien e planetit.” Ai iu referua pabarazisë dhe konflikteve, duke e përmendur edhe rikthimin e bombardimit të Gazës të premten.

“Kaosi klimatik po i fryn flakës së padrejtësisë. Ngrohja globale po i thyen buxhetet, po i fryn çmimet e ushqimit, po i përmbys tregjet energjetike dhe po e ushqen krizën e kostos së jetesës. Veprimet klimatike mund ta bëjnë ndryshimin”- shtoi Guterresi.

ballafaqim të drejtpërdrejtë me shtetet që mbështeten te nafta dhe madje edhe me vendin që e organizon samitin, ai tha se mënyra e vetme për ta kufizuar ngrohjen drejt qëllimit të caktuar më 2015 e kërkon eliminimin e përdorimit të naftës, thëngjillit dhe gazit. “Jo duke e zvogëluar [përdorimin], jo duke e pakësuar, duke e hequr nga përdorimi”- tha ai.

Mbreti Çarls III i Britanisë paralajmëroi për “botë më të zymtë e më të errët”, nëse udhëheqësit nuk e ndryshojnë rrjedhën. “Shpresa e botës qëndron mbi vendimet që ju duhet t’i merrni”- tha ai para udhëheqësve të shteteve.

Në samit po mungojnë presidentët e dy ekonomive më të mëdha në botë – ShBA-ja dhe Kina. Në vend të presidentëve, këto dy shtete po përfaqësohen nga nënpresidentja Kamala Harris e Shteteve të Bashkuara dhe zëvendëskryeministri i Kinës, Ding Xuexiang.

Lajme të ngjashme