Ndryshohet numri, mbi 1.300 të arrestuar natën e katërt të trazirave në Francë - NACIONALE

Ndryshohet numri, mbi 1.300 të arrestuar natën e katërt të trazirave në Francë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trazirat në pjesë të ndryshme të Francës vazhduan edhe natën e katërt pavarësisht nga numri i madh i policëve të angazhuar dhe arrestimit të 1.311 personave. Protestuesit u vunë flakën veturave dhe ndërtesave, ndërsa dyqanet u plaçkitën.

Anëtarët e familjes dhe miqtë po përgatiten të shtunën për ta varrosur adoleshentin 17-vjeçar që u vra nga një polic francez në fillim të kësaj jave, duke e nxitur shpërthimin e kryengritjes, raporton agjencia “Associated Press”.

Pavarësisht nga apeli i presidentit Emmanuel Macron për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi, përleshjet rrugëve mes protestuesve të rinj dhe policëve vazhduan. Rreth 2.500 zjarre u ndezën dhe dyqanet u plaçkitën, sipas autoriteteve.

Ceremonia mortore për adoleshentin e quajtur Nahel, i cili u vra në periferi të Parisit të martën, filloi të shtunën. Anëtarët e familjes dhe miqtë e tij po e shikonin arkivolin e hapur para se ai të dërgohet në një xhami për ceremoni fetare dhe të varroset më vonë.

Përderisa numri i personave të arrestuar vazhdoi të rritej, autoritetet thanë se dhuna kishte filluar që të pakësohej duke iu falënderuar masave më të rrepta të sigurisë.

Ekipi kombëtar francez i futbollit – përfshirë yllin Kylian Mbappe, i admiruar nga shumë të rinj në lagjet e lëna pas dore ku është rrënjosur zemërimi, bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës.

“Shumë prej nesh janë nga lagjet e klasës punëtore, edhe ne e ndajmë këtë ndjenjë të dhimbjes dhe pikëllimit”- thanë lojtarët në një deklaratë. “Dhuna nuk zgjidh asgjë... Ka mënyra paqësore dhe konstruktive për ta shprehur veten”- thuhet më tej në deklaratën e tyre.

Në vend të dhunës, lojtarët thanë se është koha për “vajtim, dialog e rindërtim”.

Vrasja e Nahelit i nxiti tensionet e gjata mes policisë dhe të rinjve në projektet e banimit ku ballafaqohen me vështirësi për shkak të varfërisë, papunësisë dhe diskriminimit racor. Trazirat e ditëve të fundit janë më të rëndat që kanë ndodhur në Francë viteve të fundit dhe i vendosin presion të ri presidentit Macron, i cili i ka fajësuar rrjetet sociale për nxitjen e dhunës.

Lajme të ngjashme