Vazhdojnë trazirat në Francë, gati 500 të arrestuar në natën e katërt të dhunës - NACIONALE

Vazhdojnë trazirat në Francë, gati 500 të arrestuar në natën e katërt të dhunës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 470 persona u arrestuan në Francë gjatë natës së katërt të trazirave dhe protestave për vrasjen e një adoleshenti nga policia, por zyrtarët pretenduan se situata qe më e qetë se në natën paraprake.

Dyzet e pesë mijë policë, përfshirë pjesëtarë të forcave speciale, u angazhuan në detyrë për t’iu kundërpërgjigjur trazirave dhe plaçkitjeve në pjesë të ndryshme të vendit të premten në mbrëmje. Raportohet se situata në Paris qe pak më e qetë se netëve të mëparshme, ndërsa gjendja në qytete të tjera të mëdha, si në Marsejë dhe Lion, ishte më kaotike, ku ndërtesave dhe veturave iu vu zjarri, ndërsa dyqanet u plaçkitën.

Dyqanet në disa qendra tregtare në periferi të Parisit si dhe një dyqan i kompanisë “Apple” në qendër të Strasburgut u plaçkitën të premten pasdite, raporton gazeta “The Guardian”.

“Është republika ajo që do të fitojë, jo trazuesit”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, përderisa u takua me policë në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. “Kemi 471 arrestime në territor kombëtar”- shtoi ai, por theksoi se pati “intensitet shumë më të ulët se gjatë ditës dje dhe madje edhe se gjatë ditës pardje”. Më shumë se 900 persona u arrestuan natën paraprake.

Ministri Darmanin e dënoi atë që e quajti “dhunë të papranueshme në Lion dhe Marsejë”, ku demonstratat publike u ndaluan dhe transporti publik u ndërpre.

Më shumë se 80 persona u arrestuan në Marsejë, sipas Ministrisë së Brendshme, ndërsa “përforcime të konsiderueshme” u dërguan atje, pasi kryetari i qytetit, Benoit Payan, bëri thirrje që qeveria qendrore të dërgonte menjëherë trupa shtesë.

“Skenat e plaçkitjeve dhe dhunës janë të papranueshme”- shkroi ai të premten vonë në rrjete sociale, pasi policia u përlesh me protestuesit.

Mediet lokale raportuan se një dyqan i zinxhirit “Aldi” ishte në shënjestër të plaçkitjes, ndërsa autoritetet thanë se ishin duke e hetuar shkakun e një shpërthimi në qytet, për të cilin nuk besuan se ka shkaktuar pasoja në njerëz.

Disa pushkë u plaçkitën nga një dyqan i armëve, por nga ai vend nuk u mor municion. Policia tha se është arrestuar një person me një pushkë që ndoshta ishte marrë në atë dyqan.

Lajme të ngjashme