Ndërprerja e dërgesave ushqimore dhe ndihmave nga Izraeli i përkeqëson kushtet në Gaza - NACIONALE

Ndërprerja e dërgesave ushqimore dhe ndihmave nga Izraeli i përkeqëson kushtet në Gaza

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Pezullimi i hyrjes së mallrave në Gaza nga Izraeli po lë pasoja në enklavën palestineze. Disa furra po mbyllen e çmimet e ushqimit po rriten, ndërsa ndërprerja e furnizimit me energji mund t’i privojë njerëzit nga uji i pastër, thanë zyrtarët palestinezë.

Vendimi për pezullim, për të cilin Izraeli ka thënë se e ka për qëllim trysninë ndaj Hamasit në bisedimet për armëpushim, vlen për ushqimin, produktet mjekësore dhe importet e karburanteve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRËA, tha se vendimi për ndaljen e ndihmave e rrezikon jetën e civilëve të dërrmuar nga lufta “brutale” 17-mujore, duke shtuar se shumica e popullsisë prej 2,3 milionësh në Gaza ishte e varur nga këto ndihma.

Hamasi e përshkruan vendimin e Izraelit si “ndëshkim kolektiv” dhe këmbëngul se nuk do të shtyhet drejt bërjes së koncesioneve në bisedime.

Abdel-Nasser Al-Ajrami, drejtor i sindikatës së furrtarëve në Gaza, i tha agjencisë “Reuters” se gjashtë prej 22 furrave të bukës që janë ende në gjendje që të operojnë tashmë janë mbyllur, pasi kishin mbetur pa gaz për gatim.

“Furrat e mbetura mund të mbyllen brenda një jave ose ashtu diçka, nëse mbeten pa naftë ose miell, nëse pikëkalimi kufitar nuk hapet për ta lejuar rrjedhjen e mallrave” – tha ai.

Izraeli javën e kaluar e bllokoi hyrjen e mallrave në Gaza në një ngërç rreth armëpushimit me të cilin janë ndalur luftimet në shtatë javët e fundit.

Vendimi i Izraelit ka çuar në rritje të çmimeve të produkteve elementare ushqimore si dhe të karburantit, duke detyruar shumë njerëz që t’i rrallojnë vaktet e ushqimit.

E zhvendosur nga shtëpia e saj e shkatërruar e tani duke jetuar në një tendë në qytetin Khan Younis, 40-vjeçarja Ghada al-Rakab tha se po ballafaqohet me vështirësi për t’i plotësuar nevojat elementare. Nëna e gjashtë fëmijëve pjek produkte për familjen e saj dhe fqinjët, nganjëherë duke dhënë me qira një furrë të improvizuar argjile me një çmim simbolik.

“Çfarë jete po jetojmë? Pa rrymë, pa ujë, pa jetë, ne madje nuk bëjmë jetë të duhur. Çka ka mbetur tjetër në jetë? Zoti na marrtë e na dhashtë pushim” – tha zonja al-Rakab.

Lajme të ngjashme