Navalny shpallet fajtor për mashtrim
Figura kryesore opozitare e Rusisë, Alexei Navalny, është shpallur fajtor për mashtrim. Përkrahësit e tij kanë thënë se akuzat ndaj opozitarit janë të fabrikuara.
Navalny ishte arrestuar, kur ishte kthyer në Rusi vitin e kaluar, pasi kishte mbijetuar nga helmimi, për të cilin e fajëson Kremlinin, shkruan BBC.
Ai fillimisht ishte dënuar me tri vite e gjysmë burgim për shkelje të kushteve të dorëzanisë gjatë kohës kur ndodhej në spital.
Prokurorët tash duan që ai të dënohet edhe me 13 vite burgim nën akuzën për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës.
Ata e akuzuan Navalnyn për vjedhjen e donacioneve në vlerën e 4.7 milionë dollarëve, që i ishin dhënë organizatave të tij politike, që tashmë janë të ndaluara me ligj në Rusi.
Duke e lexuar vendimin, gjykatësja Margarita Kotova tha se Navalny ka kryer “vjedhje të pronës nga një grup i organizuar”. Ajo e shpalli fajtor opozitarin edhe për mospërfillje të gjykatës./Nacionale