Nasrallahu i Hezbollahut thotë se civilët izraelitë u vranë nga Izraeli: ShBA-ja ta paguajë çmimin për Gazën - NACIONALE

Nasrallahu i Hezbollahut thotë se civilët izraelitë u vranë nga Izraeli: ShBA-ja ta paguajë çmimin për Gazën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, cilësoi të premten Izraelin “të dobët si rrjetë merimange” dhe i justifikoi sulmet e militantëve pro-iranianë ndaj trupave amerikane në rajon.

“Izraeli në mënyrë të rreme pretendoi se Hamasi ua hoqi kokat foshnjave, por dështoi që të jepte ndonjë dëshmi, ndërsa e tërë bota i ka parë pamjet e fëmijëve palestinezë të bombarduar në Gaza”- pretendoi ai, edhe pse Izraeli ka paraqitur pamje të vrasjes së izraelitëve.

“ShBA-ja duhet të mbahet përgjegjëse dhe ta paguajë çmimin për krimet e kryera nga Izraeli në Gaza, prandaj lëvizjet e rezistencës i kanë sulmuar dhe do të vazhdojnë që t’i sulmojnë forcat amerikane në Irak e Siri”- u zotua ai, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Izraeli e ka zbuluar veten si shtet i dobët, i brishtë si rrjeta e merimangës, dhe ka nevojë për mbështetjen amerikane e perëndimore. Në të kundërtën, pse forcat detare të ShBA-së do të dërgonin një aeroplanmbajtëse pak pas sulmit të 7 tetorit? Për çka tjetër do ta vizitonte Bideni Izraelin, bashkë me disa sekretarët të qeverisë amerikane, krerët më të lartë ushtarakë e udhëheqësit evropianë”- pyeti Nasrallahu.

“Një fitore për Gazën kundër Izraelit nuk do të jetë fitore për Iranin ose për Vëllazërinë Myslimane, do të jetë në rend të parë fitore patriotike për palestinezët, por edhe për Egjiptin, Jordaninë, Sirinë dhe Libanin. Prandaj, është detyrë e jona që ta mbështetim Hamasin në Gaza”- tha më tej zyrtari i lartë i grupit të mbështetur nga Irani.

Për më tepër, Nasrallahu u bëri thirrje shteteve arabe që t’i ndalin eksportet e naftës drejt Izraelit.

Ai pretendoi se civilët izraelitë më 7 tetor u vranë nga forcat izraelite, të cilat, siç tha ai, “po silleshin në mënyrë të çmendur, sikur ishin zënë në befasi dhe ishin të dehur”, jo nga Hamasi.

Sidoqoftë, në internet janë parë dëshmi pamore e rrëfime të dëshmitarëve që militantët e Hamasit kanë vrarë qindra civilë dhe anëtarët e këtij grupi kanë pranuar se janë urdhëruar për të vrarë civilë, raporton gazeta izraelite.

Lajme të ngjashme