NASA: Toka do të goditet nesër nga një stuhi diellore
Parashikimet e fundit të NASA-s tregojnë se një stuhi diellore do të godasë tokën më 19 korrik, gjë që mund të shkaktojë ndërprerje të GPS-it dhe sinjaleve të radiove.
Sipas Dr. Tamitha Skov, goditja e parashikuar nga NASA do të jetë “e drejtpërdrejtë”, ndërsa tregon se “duhet të presim ndërprerje të sinjalit”.
Ndërkohë, SpaceWeather ka thënë se stuhia mund të ndodhë edhe më vonë gjatë javës më 20 ose 21 korrik, duke shtuar se edhe pse do të jetë një “stuhi e vogël”, mund të ndikojë në operacionet satelitore.
The Independent shkruan se origjina e stuhisë vjen nga një nxjerrje e masës koronale, një lëshim i plazmës dhe energjisë magnetike, e cila është shkëputur nga dielli më 15 korrik. Ndërsa bëhet e ditur se këto shpërthime janë të afta të lëshojnë 100 mijë herë më shumë energji sesa gjenerojnë të gjitha termocentralet në tokë brenda një viti.
Stuhi të tilla diellore që pritet të shtohen në vazhdim, vijnë pasi dielli është në fazën aktive të ciklit diellor 11-vjeçar.
"Madhësia e spikatjes është mbresëlënëse", është shprehur Dr Sebastian Voltmer për SpaceWeather, i cili ka kapur një imazh të masës së shkëputur.
"Ishte spektakolare të shihje një pjesë të saj që lëvizte shumë shpejt duke u nxjerrë dhe duke u shkëputur anash," ka shtuar ai.

Stuhitë e fuqishme diellore mund të kenë efekte serioze në aktivitetet njerëzore. Ndërsa, disa kërkime sugjerojnë se për shkak të rritjes së aktivitetit të erës diellore, satelitët kanë dalë nga orbitat e tyre, pasi ulja e lartësisë për këta satelitë është 10 herë më e shpejtë sesa ka qenë në të kaluarën, me një kosto prej dhjetëra milionë dollarësh.
Shkencëtarët kanë thënë se është e mundshme që stuhitë e tilla të parashikohen, duke përdorur shkallën maksimale të rritjes së aktivitetit të njollave diellore.
Ata kanë shtuar se parashikimet mund të ndihmojnë në mbrojtjen e infrastrukturës së cenueshme të energjise, pajisjeve të komunikimit dhe internetit.

