Gjigantja e politikës amerikane njofton largimin si lidere e Demokratëve në Kongres pas dy dekadash - NACIONALE

Gjigantja e politikës amerikane njofton largimin si lidere e Demokratëve në Kongres pas dy dekadash

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Liderja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka njoftuar të enjten se do të heqë dorë nga posti i saj drejtues, pasi ka udhëhequr për dy dekada demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Pelosi, gruaja e parë dhe e vetme që ka shërbyer si lidere, ka bërë të ditur se megjithatë ajo do të vazhdojë të shërbejë në Dhomën e Përfaqësuesve, duke i dhënë mundësinë brezit të ardhshëm për të udhëhequr demokratët.

"Unë nuk do të kërkoj rizgjedhje në udhëheqjen demokrate në Kongresin e ardhshëm," është shprehur Pelosi.

Ajo më tej ka shtuar se: “Për mua, ka ardhur koha që një brez i ri të udhëheqë grupin demokratik që unë e respektoj thellësisht dhe jam mirënjohëse që janë kaq gati për të marrë mbi supe këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme”.

Pelosi, 82 vjeç, është ngjitur në krye të grupit demokratik të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2002. Karriera e saj politike është shënuar nga një aftësi e jashtëzakonshme për të kuptuar dhe kapërcyer ndryshime të mëdha politike. E fitoret e saj legjislative në epokën e Bidenit kanë çimentuar reputacionin e saj si një nga udhëheqëset më të suksesshme të partisë në Kongres.

Ndërkohë, pas njoftimit për dorëheqje, presidenti amerikan Biden e ka cilësuar Pelosin si spikeren më të rëndësishme të Dhomës së Përfaqësuesve në histori.

"Koha do të tregojë se ajo ishte kryetarja më e rëndësishme e Dhomës së Përfaqësuesve në historinë tonë. Ajo pasqyron një dinjitet në veprimet e saj dhe një dinjitet që sheh në jetën e njerëzve të këtij kombi", ka deklaruar Biden.

Ai më tej ka shtuar se, “për shkak të Nancy Pelosit, jetët e miliona amerikanëve janë më të mira, madje edhe në rrethet e përfaqësuara nga republikanët që votuan kundër projektligjeve të saj”.

Biden ka përfunduar duke thënë: "Kjo është Nancy - gjithmonë duke punuar për dinjitetin e të gjithë njerëzve."

Lajme të ngjashme