Musku thotë se intervista me Trumpin u pengua nga një sulm kibernetik – çfarë biseduan?
Kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, zhvilloi të hënën një intervistë me miliarderin Elon Musk. Gjatë bisedës u diskutuan shumë prej pikave më përçarëse të ish-presidentit.
Problemet teknike fillimisht u pamundësuan shumë përdoruesve të rrjetit X që ta shikonin bisedën mes dy figurave të njohura amerikane. Musku fajësoi një sulm kibernetik “masiv” për shtyrjen e intervistës, por shkaku i pengesës nuk qe tërësisht i qartë, raporton gazeta “The Guardian”.
Pasi intervista nisi me më shumë se 40 minuta vonesë, Trumpi e filloi bisedën duke e kujtuar vrasjen në tentativë ndaj tij muajin e kaluar, pasi kjo temë u hap me kërkesën e Muskut. Edhe pse Trumpi më parë kishte thënë se do ta jepte rrëfimin e vet për këtë ngjarje një herë në konventën e republikanëve muajin e kaluar, ai përsëri e diskutoi në hollësi ballafaqimin me vdekjen në një tubim fushate në Butler të Pensilvanisë, vend që tha se do ta vizitonte përsëri në tetor.
“Ishte një mrekulli. Nëse nuk do ta kisha kthyer kokën, nuk do të isha duke biseduar me ty tani, sado shumë që më pëlqen ti” – i tha Trumpi Muskut.
Më pas, ish-presidenti foli për pikëpamjet e tij të zakonshme kundër emigrantëve, duke paralajmëruar se “njerëz të vrazhdë” po mundohen që të hyjnë në ShBA përmes kufirit me Meksikën.
“Këta janë njerëz që janë në burg për vrasje dhe për të gjitha llojet e gjërave dhe ata po i lirojnë këta drejt vendit tonë” – tha ish-presidenti. Sipas hulumtimeve të gjera, nuk është zbuluar ndonjë lidhje mes emigrantëve dhe niveleve më të larta të krimit.
Më pas, Trumpi e sulmoi me fjalë rivalen e tij demokrate, Kamala Harris, duke e quajtur “care të kufirit” në administratën e presidentit Biden, edhe pse zyrtarë demokratë dhe ekspertë për të drejtat e emigrantëve e kanë kontestuar këtë karakterizim të portfolios politike të saj. Ai në mënyrë të vazhdueshme e quajti Harrisin demokrate “radikale” që e kishte “shkatërruar” Kaliforninë, kur kishte shërbyer si kryeprokurore në këtë shtet amerikan dhe më vonë si senatore.
Trumpi pati një kompliment për Harrisin, duke thënë se ajo dukej bukur në ballinën e revistës “Time”, duke e krahasuar me bashkëshorten e vet, Melania. “Ajo duket si aktorja më e bukur që ka jetuar ndonjëherë. Ishte vizatim, dhe në të vërtetë, ajo dukej shumë si një zonjë e parë e mrekullueshme, Melania” – tha republikani për rivalen e tij demokrate.
Zyrtarët e fushatës së Harrisit e dënuan intervistën e Trumpit, duke e cilësuar si shembull të “ekstremizmit dhe agjendës së rrezikshme Projekti 2025” të ish-presidentit.
Sipas sondazheve të zhvilluara javën e kaluar nga gazeta “The New York Times” dhe Kolegji “Siena”, zonja Harris kishte katër për qind më shumë përkrahje se Trumpi në shtetet kyçe të zgjedhjeve presidenciale: Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin./Nacionale